U kërcënua nga “Brigada e Veriut”, Kurti: Janë terroristë, koha e tyre ka kaluar

Nga Ideal Gola
8 Maj 2026, 23:36 | Kosova

“Brigada e Veriut”, e shpallur organizatë terroristë më 2023 nga Qeveria e Kosovës pas tensioneve në katër komunat veriore, ka kërcënuar me jetë kryeministrin Albin Kurti.

Në mesazhin e publikuar nga kjo organizatë thuhet: “Sa të lindë agimi mbi Kosovë, Albin Kurti do të jetë i vdekur”.

Kurti, gjatë qëndrimit në komunën e Shtimes, deklaroi se me kërcënimet ndaj tij kjo organizatë e dëshmoi që mbetet terroriste dhe se koha e tyre në Kosovë ka kaluar.

Sipas tij, fatkeqësisht këta njerëz ende kanë ndikim dhe mbështetje në Beograd.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha:  “Ne i kemi shpallur ato organizata terroriste me 29 qershor të vitit 2023, dhe këto kërcënime që bëjnë ata janë veçëse dëshmia më e re që janë ashtu siç i kemi shpallur dhe se nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Të gjithë pjesëtarët e të ashtuquajturës 'Brigadë Veriore' janë kriminelë, janë terroristë, të cilët kanë bërë zullum në Kosovë në të kaluarën, por koha e tyre në Republikën tonë ka kaluar. Fatkeqësisht, ata janë të lirë dhe vazhdojnë të kenë ndikim në Beograd”.

Përpos “Brigadës së Veriut”, në të njëjtën mbledhje Qeveria e Kosova e kishte shpallur organizatë terroriste edhe “Mbrojtjen Civile” me arsyetimin se paraqesin kërcënim serioz dhe drejtpërdrejt për rendin kushtetues dhe sigurinë në Republikën e Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos