Vjedhjet e votave që ndodhën brenda subjekteve politike në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit i dhanë një goditje të rëndë të gjithë procesit. Ato u pasuan me hetime të shumta dhe arrestime të qindra komisionerëve dhe vëzhguesve.
Sipas raportit të rrjetit të organizatave vendore për mbikëqyrjen e zgjedhjeve "Demokracia në Veprim" mbi 242 mijë vota ishin tjetërsuar gjatë numërimit fillestar për zgjedhjet e dhjetorit 2025. Ata kanë kërkuar shtim të numrit të komisionerëve dhe të vëzhguesve në Qendrat Komunale të Numërimit për të parandaluar një skenar të ngjashëm edhe për zgjedhjet e qershorit 2026.
Komisioni Qendror i Zgjedhje përmes ndryshimit të rregulloreve të brendshme po përpiqet të parandalojë manipulimin e votave.
Valmir Elezi nga KQZ bën me dije: “Në aktet nënligjore të KQZ-së është paraparë një mekanizëm i kontrollit të numërimit të fletëvotimeve i cili bëhet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN). Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi të pranojë kutitë e votimit nga këto Qendra Komunale të Numërimit, do të vlerësojë situatën dhe mund të marrë vendim për rinumërimin deri në 10% të vendvotimeve, të cilat do të përzgjidhen në mënyrë të rastësishme”.
Akti nënligjor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i cili është ndryshuar është rregullorja zgjedhore për funksionimin e Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve (QNR).
Kjo i jep të drejtë KQZ-së që të rinumërojë vetëm pasi kutitë me vota të mbërrijnë në Prishtinë pasi paraprakisht votat e komunave janë numëruar në 38 Qendrat Komunale të Numërimit, nga një për secilën komunë.
“Ky është një proces i cili planifikohet të ndodhë pasi të përfundojë numërimi i votave në Qendrën Komunale të Numërimit. Natyrisht se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion që ka barrën kryesore për organizimin e procesit zgjedhor, mund të ndërmarrë masa të ndryshme me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor”, shprehet Elezi.
KQZ ka ndryshuar edhe rregulloren për vëzhguesit e zgjedhjeve të cilët kanë për detyrë vetëm mbikëqyrjen e procesit. (A2 Televizion)