Shqetësime serioze mbi funksionimin e Dhomave të Specializuara të Hagës janë identifikuar në një raport paraprak nga një autoritet i pavarur ndërkombëtar.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, është ai që prezanton gjetjet e raportit të organizatës “Bar Human Rights Committee of England and Wales”, të cilat konfirmojnë shqetësimet e ngritura më herët nga vetë institucioni i Avokatit të Popullit.
Ekspertët britanikë nxjerrin në pah çështje serioze që lidhen me kohëzgjatjen e paraburgimit për 4 ish-krerët e UÇK; mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm apo kufizimin e komunikimeve me familjarët dhe ekipet mbrojtëse.
Qelaj: Raporti evidenton shqetësime serioze lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit
“Sa i përket çështjes së paraburgimit dhe kufizimit të të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, raporti evidenton shqetësime serioze lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimet e komunikimeve familjare, por edhe ato profesionale me ekipet e mbrojtjes. Dhe për më tepër, raporti konstaton se lirimi në Holandë, ku zhvillohet procedura penale, nuk është i mundur, duke krijuar një pengesë strukturore që rëndon pozitën e të akuzuarve. Pra, edhe fakti që deri më sot ka pasur shumë pak lirime të parakohshme, edhe pse kanë kaluar vite nga fillimi i procesit dhe nga momenti kur janë paraburgosur personat që janë atje, lë të kuptosh që një pretendim i tillë jo vetëm që mund të ngrihet si shqetësim, por edhe mund të evidentohet si fakt konkret”.
Avokati i Popullit shtoi më tej se raporti i ekspertëve britanikë tregon që mbikëqyrja sistematike e komunikimeve përbën ndërhyrje. Mes të tjerash, ekspertët në organizatën e pavarur në Britaninë e Madhe vlerësojnë se deklaratat e prokurorit të Specializuar, Jack Smith, për dënim me burgim të përjetshëm të katërshes së UÇK-së pa filluar gjykimi, ngrenë shqetësime të mëdha për integritetin e procesit.
“Raporti evidenton se deklaratat e atribuuara të prokurorit, Jack Smith, përfshirë edhe kryetares së Gjykatës Speciale, ku theksohet dënimi me burgim të përjetshëm për vitin 2021 dhe pastaj konstatimi që nëse lirohen këta persona mund të paraqesin rrezik dhe duhet të mbahen në paraburgim, konstatim nga vetë kryetarja e Gjykatës, ngrenë shqetësime serioze jo vetëm për prezumimin e pafajësisë, por edhe për integritetin e procesit të lirimit të parakohshëm, si dhe mungesën e transparencës procedurale”.
Raporti i organizatës “Bar Human Rights Committee of England and Wales” është kërkuar si shkak i shqetësimeve që ka ngritur Avokati i Popullit për respektimin e të drejtave themelore në kuadër të proceseve gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë. (A2 Televizion)