Raketat ruse mbi centralin nuklear, tjetër varrezë masive në Mariupol

Nga A2 CNN
26 Prill 2022, 13:58 | Bota
Raketat ruse mbi centralin nuklear, tjetër varrezë masive në

Raketat ruse fluturuan në kuotë të ulët mbi centralin bërthamor të Zaporizhzhias, në Ukrainën juglindore. Operatori bërthamor shtetëror në Ukrainë, i cituar nga mediat vendase, tha se fluturimi në kuotë të ulët në centralin ku gjenden 7 impiante nukleare përbën rrezik të madh.

“Raketat mund të godasin një ose më shumë impiante, çka do të përkthehej në një katastrofë nukleare dhe radioaktive për të gjithë botën”, tha shefi i operatorit bërthamor Energoatom. Forcat ruse sulmuan gjithashtu rajonin verilindor të Sumit, ku në total u raportuan 15 shpërthime.  

Më herët, në shënjestër u vu qyteti i Ochakiv, në rajonin e Mikolaivit.

Një varr i tretë masiv u zbulua pranë Mariupolit, në fshatin e Strayi Krym. Sipas këshillit komunal të qytetit-port, bëhet fjalë për një zgjatim të varrezave të evidentuara në pamjet satelitore të 24 marsit dhe 7 prillit. Imazhet e fundit tregojnë një gropë të re, gjatësia e të cilës i kalon 200 metrat.

Në përditësimin e informacioneve lidhur me zhvillimet në Ukrainë, Inteligjenca britanike konfirmon se qyteti i Kreminas është në duart e Moskës, ndërsa forcat ruse po përpiqen të avancojnë drejt  Sloviansk dhe Kramatorsk nga veriu dhe lindja. Moska pretendon se ka vrarë 500 nacionalistë armiq, siç i quan, në sulme të zhvilluara gjatë natës. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov, tha se mes tyre janë edhe 60 militantë të grupit nacionalist të Donbasit.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos