
Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, janë të tre bashkë, janë bashkë prej hallit që i lidh bashkë, dhe janë bashkë për të shkatërruar Partinë Demokratike. Kështu u shpreh kreu demokrat Lulzim Basha gjatë takimit me demokratët e Njësisë 2 në kryeqytet.
“Flasin njësoj, mbajnë të njëjtat qëndrime, përdorin të njëjtat terma, kanë të njëjtën gjuhë, i bashkon i njëjti hall, që nuk është halli i shqiptarëve, është halli i karrigeve të tyre personale, i fatit të tyre personal. Në raport me atë që i kanë hyrë në hak shqiptarëve. Njëri koordinon sulmin kundër Partisë Demokratike, tjetri e financon Foltoren dhe flet me gjuhën e Foltores edhe në Parlament, edhe në qeveri, edhe në ekran, tjetri e zbaton planin për të shkatërruar Partinë Demokratike. Edhe ata janë bashkë, mos keni iluzione. Hiqni çdo iluzion. Janë bashkë, Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, janë të tre bashkë, janë bashkë prej hallit që i lidh bashkë, dhe janë bashkë për të shkatërruar Partinë Demokratike. Mos keni asnjë iluzion. Sigurisht që nuk kanë për t’ia arritur”.
Basha akuzoi se njerëzit që kanë bërë biznes me oligarkët e Edi Ramës sot janë me Sali Berishën. Sipas tij ndarja nga kjo qeverisje është vetëm vettingu i politikanëve dhe reforma e sistemit zgjedhor.
“Njerëzit që kanë bërë biznes me oligarkët e Edi Ramës sot i ke me Sali Berishën me Edi Ramën duke kompletuar ditë për ditë kundër demokratëve dhe kundër shqiptarëve. Vettingu i politikanëve e ndan shapin nga sheqeri. Shpifje, linçime, palo burrëllëk merret nga mëngjesi deri në darkë me zonjat e nderuar të partisë demokratike vetëm e vetëm sepse nuk pranuan të bëhen mburojë kur u shpall “non grata” nga aleati ynë strategjike. Pasi iu dha fjalën demokratëve që nuk do ta përfshijë partinë, që nuk do ta përfshijë grupin parlamentar dhe në fakt jo vetëm që e përfshiu por e sulmojë me të njëjtin egërsirë, me të njëjta mjete si kundërshtari ynë Edi Rama dhe regjimi i tij dhe në bashkëpunim me të. Vettingu në politikë, reforma e sistemit zgjedhor, duke përfshirë një reforme kushtet që do te rivendos balancën e pushteteve për shembull, kemi dëgjuar dhe do t’i qëndrojmë duke kufizuar mandatin e kryeministrit, zyra më e fuqishme e ekzekutimit”.
Në fjalën e tij Basha u përcolli mesazhin demokratëve të përçarë se dora e tij është e shtrirë për t’ u bashkuar për të ardhmen e Shqipërisë.
“Dhe së fundmi dy mesazhe. U përmendën disa që na mungojnë. Ndahen në dy grupe; një pakicë përfituesish, që nuk kanë ndërmend të vijnë këtu, sepse e dinë që se kanë vendin këtu, sepse nuk iu shohin dot në sy, as ju, as ata që përfaqësoni ju. Po them të vërtetën apo jo? Pse s’iu shohin dot në sy? Sepse kanë shkelur mbi sakrificat tuaja, kanë shkelur mbi djersën tuaj, si në opozitë, ashtu dhe në pushtet. Ka dhe të tjerë, të cilët janë manipuluar, në veçanti për shkak të ndjeshmërie, që ka pasur pas masakrës zgjedhore të 25-prillit. Për ta, sikundër për shtimin e radhëve tona, me shumë qytetarë e qytetarë, që e kanë ndjerë veten pranë partisë demokratike, por për një arsye apo për një tjetër, por dhe për arsye që tani janë bërë të ditura, se kanë hedhur hapin, dora jonë mbetet e shtrirë. E tillë është dora ime, e tillë është dora e gjithsecilit prej jush, e shtrirë ndaj demokratëve të sakrificës, ndaj demokratëve që duan të jenë pjesë e betejës për të ardhmen! Në emër të së ardhmes dhe jo për të shkuarën, e as në emër të së shkuarës. Duke mos harruar asnjë çast, misionin që kemi mbi supe: Përballje e përditshme me të keqen dhe regjimin e Edi Ramës dhe ofrimin e kthimin në realitet të vizionit tonë për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Basha. (A2 Televizion)