Partia Demokristiane, e drejtuar nga Nard Ndoka, ka depozituar sot pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për t'u regjistruar si parti në zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie, që zhvillohen në 6 mars në bashkitë Shkodër, Dibër, Vorë, Durrës, Rrogozhinë e Lushnjë.
PDK është partia e katërt që regjistrohet në këto zgjedhje, pas PS-së, PD-së dhe LSI-së. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike u regjistruan në zgjedhje më datën 25 janar, ndërsa LSI u regjistrua një ditë më parë.
Ndërkohë Komisioni i rithemelimit ende nuk është regjistruar në këto zgjedhje, ndërsa nesër do të përzgjedhë kandidatët për 6 bashkitë.
Afati i fundit për të depozituar kërkesën për regjistrimin në zgjedhjet e pjesshme vendore për partitë është 31 janari, kurse për kandidatët është 9 shkurti.
Një ditë më parë Oerd Bylykbashki deklaroi për Merita Hakljan në A2 CNN, se të gjithë kandidatët e dalë nga Komisioni i Rithemelimit do të regjistrohen në zgjedhjet e pjesshme vendore. (A2 Televizion)