
Sali Berisha dhe Ilir Meta pas takimeve të zhvilluara në jug të vendit, u kthyen në kryeqytet me më shumë shpresa për një rezultat të mirë më 14 maj.
“Në jug konstatova se socialistët urrenin masivisht Rilindjen si një sekt hajnie. Konstatova se Edi Rama kishte filluar terrorin, angazhuar policinë, policinë bashkiake për të terrorizuar qytetarët. Por nga ana tjetër, e sigurt është se kandidatët e primarëve do të jenë kandidatët e fitores”.
Berisha denoncoi se Saranda është vënë në shënjestër të mafias, që sipas tij po largohet nga Durrësi duke ndjerë se Igli Cara do të jetë fitues i zgjedhjeve.
“Në Sarandë, mafia e Durrësit, e cila po humbet Durrësin falë fitores së Igli Carës, është vërsulur të pushtojë Sarandën. Me të deleguarin personal të famëziut Alket Hyseni, i cili ka marrë përsipër të zhvarrosë të vdekurit në Sarandë për të ndërtuar pallate.”
Ndërsa Ilir Meta, përveç entuziazmit nga takimet në jug, kishte edhe një shpjegim për shfaqje të Kryeministrit duke kërcyer në ritmet e muzikës tallava.
“Përveç se kopjon, nuk më habit aspak sikur të dalë edhe nudo të kërcejë vetëm e vetëm që të shmangë vëmendjen nga qytetarët shqiptarë për atë që ata do të votojnë më 14 maj”.
Sipas tij, Rama e ka të humbur garën më 14 maj, pasi nuk ka kandidatë serioz që të përballen me të përzgjedhurit e koalicionit “Bashkë Fitojmë.” (A2 Televizion)