Rama: Merkel do t’i mungojë Ballkanit, askush nuk e ka kuptuar rajonin sa Kancelarja

Nga A2 CNN
14 Shtator 2021, 14:42 | Politikë
Rama: Merkel do t’i mungojë Ballkanit, askush nuk e ka kuptuar

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kancelaren Angela Merkel, deklaroi se “askush nuk ka bërë për Ballkanin kaq shumë sa Kancelarja gjermane dhe askush nuk e ka kuptuar këtë rajon më mirë sesa Kancelarja”.

“Procesi i Berlinit është vizion largpamës, jo thjesht për të kaluar një fazë disavjeçare, por për ta parë të ardhmen të gjithë së bashku dhe përtej të gjitha rezultateve konkrete në aspektin e fushave që mbulon procesi, mendoj që arritja më e madhe është vendosja e një fryme bashkëpunimi dhe e sensit të së ardhmes së përbashkët”, u shpreh Rama.

Më tej, kryeministri shtoi: “Sot, Ballkani Perëndimor është një vend shumë më i mirë seç ishte para se Angela Merkel të niste Procesin e Berlinit. Merkel do t’i mungojë këtij rajoni”.

Më parë, kryeministri Edi Rama nderoi Angela Merkelin me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike”. Duke shprehur kënaqësinë e veçantë ta nderonte në emër të Shqipërisë, Rama tha se ky ishte një detyrim ndaj kancelares.

“Ky është ylli i mirënjohjes dhe ky këtu është simboli i Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, i cili e mbrojti Shqipërinë nga pushtimi dhe u mbiquajt edhe “atleti i Krishtit”, si mbrojtës i krishterimit. Kështu që mendoj se ju detyrohemi për këtë. Nuk do të mbaj fjalim këtu, se di që ju nuk para i duroni ceremonitë, ndaj vetëm le të mjaftohemi me foton”, u shpreh Rama.

Nga ana e saj, kancelarja gjermane tha se ndihet e vlerësuar dhe vlerësoi bashkëpunimin me kryeministrin shqiptar. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/09/14/rama-nderon-kancelaren-me-ylli-i-mirenjohjes-publike-merkel-kenaqeesi-te-punoja-me-ju/

A2 CNN Livestream

Latest Videos