Rama: Na duhet mandati i tretë për të asgjësuar korrupsionin në administratë

Nga A2 CNN
2 Mars 2021, 12:37 | Politikë
Rama: Na duhet mandati i tretë për të asgjësuar korrupsionin

Në konferencën e përjavshme me titull “Ekonomia në fokus”, kryeministri Edi Rama renditi disa nga arritjet digjitale nga e-albania te pasaporta digjitale. Për Ramën, revolucioni digjital është vlerësuar edhe nga ndërkombëtarët. Sipas tij, procesi i fiskalizimit i nisur në janar do të reduktojë ekonominë informale, do të rrisë të ardhurat dhe do të ketë barazi të subjekteve para ligjit në raport me konkurrencën.

“Ne disponojmë falë revolucionit digjital një ritëm që garanton transparencë dhe kemi krijuar pasaportën digjitale të vaksinimit duke u parapërgatitur që vaksinimi të kthehet në kushte për udhëtime jashtë vendit nga të tjerët. Revolucioni digjital nuk është fakt që e flasim ne, po që Shqipëria është vlerësuar shumë lart nga raportet prestigjioze ndërkombëtare. Që është i vetmi vend në rajon që plotëson statistikat elektronike. Platforma e-albania është kthyer në histori suksesi dhe është instrument efikas në duart e qytetarëve që e përdorin. Nga një janari ne kemi nisur procesin e fiskalizimit që do ndihmojë në reduktimin e ekonomisë informale rritjen e të ardhurave dhe barazinë e subjekteve para ligjit në raport me konkurrencën. Do të kemi një sistem që praktikisht do të mundësojë leximin në kohë reale nga një tru elektronik i të gjitha transaksioneve në të gjithë Shqipërinë. Nga një biznes në biznes, nga një biznes në konsumator dhe nga një biznes te shteti. Kështu do të eliminohen praktikat e inspektimeve fizike lart e poshtë dhe inspektimet do jenë të bazuara në inteligjencën kompjuterike dhe jo në dëshirën e një grupi tatimorësh. Beteja për kuponin ka qenë e pamundur për 1001 arsye ndërkohë që kalimi në këtë sistem do ta lehtësojë maksimalisht dokumentimin e gjithë transaksioneve në gjithë zinxhirin tregtar”.

Kryeministri njoftoi se përveç shëndetësisë që do të vazhdojë të transformohet në këtë aspekt edhe dëftesat e nxënësve do të jepen online me vula elektronike.  Ai tha se 38 shërbime shtetërore janë online për ata shtetas që janë jashtë.

“Shëndetësia sot vazhdon të transformohet në këtë aspekt pasi janë një sërë procesesh që sot bëhen online, ndërsa dje bëheshin me radhë të gjata. Dëftesat e nxënësve do të ofrohen online me vulë elektronike dhe po ka shumë për të bërë, shërbimet shtetërore për ata që janë jashtë 38 shërbimesh për të cilët kërkohej prania fizike në konsullatë janë online. Sot, shtetasit e huaj që duan të vijnë apo punësohen në Shqipëri kanë vizë online, gjithë procesi bëhet online pa folur për procese të tjera.  Gjobat elektronike për policinë e shtetit, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia e Kadastrës kanë shërbime online.

Por kreu i qeverisë kërkoi mandatin e tretë, pasi sipas tij duhet ende kohë për të asgjësuar korrupsionin që lidhet me këtë pjesë të administratës shtetërore.

“Edhe në shërbimet digjitale dhe krijimin e një shteti digjital duhet ende kohë. Jemi ende në një punë që duhet të vazhdojë, duhen edhe disa vite brenda mandatit të tretë që ne të kryejmë të gjithë ciklin dhe ta kalojmë në nivel tjetër Shqipërinë duke asgjësuar atë pjesë të korrupsionit që ka të bëjë me këto marrëdhënie dhe duke zgjidhur një tmerr të madh që lidhet me administratën e pasjellshme e ryshfetmarrëse dhe duke e kthyer në shërbim të qytetarëve”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/02/28/zgjedhjet-e-25-prillit-kryeministri-rama-nis-prezantimin-e-kandidateve-per-deputete/

A2 CNN Livestream

Latest Videos