"Absolut 4": Aksioni i socialistëve

Nga A2 CNN
1 Mars 2021, 23:24 | Politikë
"Absolut 4": Aksioni i socialistëve

Gjiknuri në “Absolut 4”: Njerëzit thonë, “Basha, djalë i mirë, por që fle gjumë…”

Mbrëmjen e së hënës, në “Absolut 4” në A2 u diskutua për aksionin e socialistëve para zgjedhjeve të 25 prillit, ku i ftuar ishte edhe ish-ministri, aktualisht deputeti i PS, Damian Gjknuri.

Teksa u pyet për alternativat që kanë shqiptarët në zgjedhjet e 25 prillit, Gjiknuri u shpreh se PS e ka treguar veten gjatë viteve të qeverisjes, sidomos në mandatin e dytë për atë që ka bërë, ndërsa sa i përket opozitës, ai e kaloi me një batutë për Lulzim Bashën.

https://youtu.be/UmLC4Qy4QIM

“Qytetarët e ndjejnë çdo ditë se çfarë ka bërë PS. Qytetarët janë aq të mençur dhe deri diku modest edhe për gjërat që nuk janë bërë, për fatkeqësitë që ka pasur ky vend, disa nga tërmeti e disa nga pandemia. Nisur nga kjo qytetarët dinë të vlerësojnë se kush janë ofertat që kanë për të zgjedhur. PS i del zot më mirë gjërave sesa pala tjetër, e cila përgjithësisht nuk përfaqëson asgjë të re.

Ata janë njerëz të provuar, po ata liderë politikë. Njëri ka qenë në bashki, ku ka marrë edhe atë sinonimin e gjumit, me të drejtë, pa të drejtë, ngeli ajo: Djalë i mirë, por që fle gjumë, thonë njerëzit. Ata janë personazhe politik të provuar. Qytetarët dinë të bëjnë krahasimin. Parimi i ndryshimit nuk është të kthehesh prapa”, u shpreh Gjiknuri në A2.

Kandidatët e PS, Krasniqi: Për t’u ruajtur nga presioni ndërkombëtar, kanë lënë biznesmenët dhe u kanë marrë fëmijët

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, kritikoi një pjesë të figurave të cilat Partia Socialiste si prezantoi si kandidatë të saj për deputet për zgjedhjet e 25 prillit.

“Duke parë atë çfarë u pa në ceremoni, ishte një show, jo një shfaqje vlerash ose debat politik. Dy ishin kategoritë që ranë në sy: një kategori ishte vërtet që përfaqësonte diçka. Por po të shikonin listën tjetër, janë disa të rinj që mund të jenë shumë të mirë, por mua më krijuan bindjen që janë aty për shkak të prindërve. Sepse janë një grup i madh biznesmenësh që kanë vendosur të mos konkurrojnë vetë, por të dërgojnë fëmijët e tyre. Janë biznesmenë që kanë qenë deputetë, kanë bërë lajm në Shqipëri për gjëra negative, dhe që janë pjesë e financuesve kryesorë të PS”, tha Krasniqi në “Absolut 4”. (Lajmi i plotë)

Krasniqi: Nuk ka as tren dhe as hekurudhë, por merren me pamjen, sa e bukur do të jetë rruga

Analisti Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike, i ftuar në Absolut 4, komentoi punën e qeverisë në 8 vite në pushtet, duke e kritikuar atë për mandatin e dytë.

Ai theksoi se katër vitet e dyta janë konsum pushteti, më shumë show. “Një herë në 4 vite mazhoranca duhet të japë llogari para qytetarëve. Kryeministri e pranon publikisht që nuk kemi ndonjë sukses sepse kemi pasur 2 fatkeqësi, por tani ne duhet t’i lutemi Zotit që të mos ndodhi ndonjë fatkeqësi në mandatin e tretë që të vazhdojë mandatin e katërt. Ky është problemi kryesor i keqpërdorimit të fatkeqësisë, i keqpërdorimit të ngjarjes, i dhimbjes". (Lajmi i plotë)

Lëvizjet nga LSI te PS-ja, Gjiknuri: Nuk shohin asnjë të ardhme aty

Deputeti i PS, Damian Gjiknuri komentoi në “Absolut 4” në A2 lëvizjet e fundit nga radhët e LSI drejt Partisë Socialiste.

Gjiknuri u shpreh se PS është një parti e hapur, ndërsa theksoi se te LSI-ja, këta persona nuk shohin asnjë të ardhme.

“PS është parti e hapur. Ish-anëtarë të LSI-së që duan të anëtarësohen në PS janë të mirëpritur. Ka shumë grupime të LSI-së, të cilët në mënyrë publike demonstrative shkëputen nga LSI-ja sepse nuk shohin më atë një të ardhme, e shohin një forcë në degradim. LSI ka qenë një rrymë e mirëfilltë klienteliste. Njerëzit shikonin aty vetëm një interes të mirëfilltë personal. LSI është tipike parti e krijuar nga momenti”, u shpreh Gjiknuri.

https://youtu.be/3tTHIeyck3c

Shehu: Teatri vazhdon edhe pas shembjes së godinës, s’e kam kuptuar asnjëherë çfarë do PD-ja me LSI-në

“Problemi është se në 2017-n, Basha ka dalë me fytyrë dhe zë se asnjëherë nuk do të qeverisë me Ilir Metën. Është një histori që përsëritet. PS po ashtu. Ilir Meta që thotë se për të mirën europiane ne do të lëmë Berishën dhe do të shkojmë te Rama. Përveç interesit për të krijuar një mazhorancë për të marrë vota, unë nuk e kam kuptuar asnjëherë, se çfarë do PD-ja me LSI-në. Këtë nuk e kam marrë vesh. Unë besoj se ka teatër në politikën shqiptare dhe teatri vazhdon edhe kur është shembur ai teatri real. Ky teatri i politikës shqiptare është akoma ma interesant”.

Kështu i komentoi në “Absolut 4” studiuesi Redi Shehu marrëveshjet politike me LSI-në, ndërsa më pas pyeti edhe Gjiknuri nëse ka hapësira për marrëveshje të reja nëse PS do të ketë nevojë për 5-6 mandate për të formuar qeverinë. (Lajmi i plotë)

Gjiknuri në “Absolut 4”: Meta nuk ka besim te Basha, i trembet një marrëveshjeje më të madhe

Damian Gjiknuri tha se Ilir Meta po projektohet si lider i opozitës, duke mbajtur gjithmonë e më shumë anë në arenën politike, pasi nuk ka më besim te Lulzim Basha dhe i trembet një koalicioni PS-PD.

“Besoj që nuk do të kemi nevojë për ato mandate. Meta po fillon po projektohet si lider i opozitës. Siç duket nuk ka besim te Lulzim Basha. Ka kohë që punon për të tillë. Nuk ka më besim te lideri aktual i opozitës. Mendoj që PS nuk do të mbetet peng e mandateve të LSI. Nuk dua të spekuloj për të ardhmen, politika është një terren që lëviz, do të shihet vullneti i popullit dhe do të shohim. Mund të ketë edhe ndonjë marrëveshje më të madhe, që mbase i trembet Meta…”, tha Gjiknuri. (Lajmi i plotë) (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos