
Kryeministri Edi Rama tha se me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë, do të organizohet seancë e përbashkët kuvendore me deputetët e të dy shteteve.
“Kemi rënë dakord për disa gjëra me rëndësi. Pas çdo mbledhjeje të përbashkët i bashkohemi gjithmonë e më shumë dokumentit strategjik të nënshkruar në Prizren. Në kuadër të 110-vjetorit të pavarësisë shqiptare, do të organizojmë Kuvendin e përbashkuar të dy republikave, një seancë jubilare ku deputetët e të dyja shteteve do të jenë bashkë për të adresuar popullin shqiptar kudo ndodhet”, deklaroi Rama.
Në konferencën e përbashkët për mediat me homologun Albin Kurti, Kryeministri i Shqipërisë tha edhe se në fund të vitit do të publikohet dhe revista e parë bashkëqeveritare.
“Në fund të vitit, do të publikojmë revistën e parë ndërqeveritare që do të shërbejë për të kuptuar të gjitha shifrat e marrëveshjes dhe zbatimin e tyre, do të jetë një fletore zyrtare e dy vendeve”, ishin fjalët e tij në konferencën për shtyp në Prishtinë, në kuadër të mbledhjes së dy qeverive.
“Projekti më ambicioz strategjik të qeverive tona është ndërtimi i portit të ri të Durrësit dhe portit të thatë të Prishtinës, projekt që transformon në mënyrë rrënjësore infrastrukturën tregtare mes dy vendeve, duke vendosur Shqipërinë dhe Kosovën në qendër të një graviteti rajonal”, deklaroi ai. (A2 Televizion)