Meta kthen për rishqyrtim marrëveshjen për Butrintin: Cenon Kushtetutën dhe shkel rezolutën e PE

Nga A2 CNN
20 Qershor 2022, 12:54 | Politikë
Meta kthen për rishqyrtim marrëveshjen për Butrintin: Cenon

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend, Marrëveshjen për Administrimin e Parkut të Butrintit. Në arsyetimin e kreut të shtetit thuhet se kjo marrëveshje cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës. Sipas Metës, marrëveshja bie ndesh edhe me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.

“Cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës; Cenon parimet dhe vlerat universale që mbrohen që në preambulën e Kushtetutës, duke cenuar kësisoj drejtpërdrejtë interesin publik shqiptar; Cenon Konventën e Parisit dhe nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO; Bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”.

Kreu i shtetit, thekson se praktika e ndjekur nga qeveria dhe Kuvendi nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase dhe konsultimin gjithëpërfshirës, duke shkelur rezolutën e miratuar nga Parlamentit Evropian.

“Praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij; Procedura e ndjekur nuk ka garantuar një proces të gjerë e të thelluar të konsultimit me publikun, duke sjellë kështu një produkt jocilësor dhe një debat publik mbi këtë çështje; Shmang auditimin përmes institucioneve të pavarura kushtetuese të veprimtarisë ekonomike-financiare, lidhur me të ardhurat që do të krijohen dhe mënyrën e përdorimit të tyre; Për shkak të mungesës së konsultimit gjithëpërfshirës, ky ligj është produkt i një procesi që ka shkelur Rezolutën e datës 19 maj 2022, të miratuar nga Parlamentit Evropian”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos