
Me marrjen e Presidencës së OSBE-se nga Shqipëria, kryeministri shqiptar pritet të bëjë një vizitë në Rusi.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara dhe ai i Ukrainës në OSBE, kanë përshendetur prioritetet e shpallura prej tij dhe për vizitën e pritshme në Rusi, ambasadori amerikan tha se nuk përbën asnjë shqetësim.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të kënaqura që Shqipëria po merr kryesimin e OSBE. Kryeministri Rama tha se do të vizitojë Rusinë, por për ne kjo nuk përbën shqetësim, pasi kemi besim tek ai. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuar për paqen dhe jemi për uljen e tensionit. Dhe duket që Irani do të bëjë hapa pas. Kjo është gjë e mirë. SHBA nuk po kërkon luftë me Iranin. Çdo kërcënim ndaj Shqipërisë nuk do të ishte gjë e mirë pasi vendi juaj është një mik i Amerikës”, deklaroi ambasadori i SHBA në OSBE, James Gilmore.
Ndërsa ambasadori ukrainas Yevhenii Tsymbaliuk tha: “Presim që kryesimi i Shqipërisë të udhëheqë implementimin e asaj që është dakordësuar në samitin e Parisit për vendin tonë, sikurse është pushimi i zjarrit që ende nuk ka ndodhur. U ra dakord për shumë gjëra, por asgjë nuk është aplikuar në praktikë. E vlerësojmë që Rama do të bëjë vizitën e parë në Ukrainë në datat 20-21 të këtij muaji.” (A2 Televizion)