
Akt pabesie dhe tradhti të ulët ndaj aleatit të madh të kombit shqiptar, SHBA-së e ka cilësuar Sali Berisha përfshirjen e Ramës në çështjen Mcgonigal. Ai i bëri thirrje të dorëhiqet pasi sipas tij nuk është më legjitim.
“Kombi nuk ka patur një faqezi të dytë si ti. Jep dorëheqjen largohu! Pas këtij akti të pabesë ndaj aleatit të madh të kombit shqiptar, SHBA, Edi Rama nuk është më legjitim politikisht moralisht i njëjti njeri, ai nuk mund të jetë kryeministri i Shqipërisë i vendi të NATO-s. Edi Rama, këtë ndërtesë e ke blinduar, në Surrel ke fituar tanket dhe autoblindat e ushtrisë. Tani po të them që ato tanke, largoji nga Surreli, gjysmën çoji në Ukrainë, po nuk të lë Putini dhe Vuçiçi, sepse idealet tona, idealet e këtij revolucioni shpojnë çdo blind, asgjësojnë çdo tank. Mjerë ti! Shqipëria shihet sot në mbarë botën si strofull e rrezikshme e korrupsionit, e krimit dhe drogës, vendi i një kryeministri që sikur të ishte aleat i Putinit, i korrupton zbuluesit më të rëndësishëm partnerit tonë kryesor. Me këtë akt, duke korruptuar një nga njerëzit më të çmuar në fushën e sigurisë të vendit që ka bërë më shumë se çdo tjetër për lirinë e shqiptarëve, ti Edi Rama ka kryer një akt armiqësor, për të cilin Putini është gati të të varë në qafë dekoratën më të lartë. Faqezi. Tradhtia më e ulët është tradhtia ndaj mikut”. (A2 Televizion)