
Riorganizim i gjithë procesit qeverisës. Ka qenë kjo kryefjala e mbledhjes dy ditore të qeverisë në Tepelenë. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se vetëreformimi është në funksion të rritje së eficencës dhe kapaciteteve për të arritur rezultate të shpejta.
“Është një analizë jo nga këndvështrimi i së djeshmes por drejt së ardhmes. Është diskutuar nevoja për të riorganizuar të gjithë procesin qeverisës që nga vetë organizmi i këtij procesi në godinën e qverisë dhe kemi arritur disa rezultate të dobishme dhe kemi vendosur disa piketa të rëndësishme që sesionin e ri ta fillojmë një impuls të ri dhe rritje të kapaciteteve qeverisëse duke forcuar rolin e zv.ministrave dhe duke përfshirë në vendimmarrje edhe të tjerë drejtues të agjencive të rëndësishme. Do të krijojmë një kanal të ri ndërveprimi me ekspertizën vendase dhe të huaj, me botën akademike, organizatat ndërkombëtare. Ne kemi tendencën që t’i lidhim reformat me shkarkime e emërime. Vetëreformimi është një riorganizm i procesit qeverisës në funksion të rritje së eficencës dhe kapaciteteve për të arritur rezultate të shpejta”.
Nga turizmi tek energjia, reforma në arsim dhe integrimi europian ai foli për të gjitha reformat dhe sfidat që duhet të adresohen, sikurse lëvizja demografike, zhvillimi i teknologjisë dhe ulja e lindshmërisë dhe avantazhet nga ulja e euros.
“Shqipëria ka arritur të ketë të njëjtin numër turistësh për 1 mijë banorë si Greqia. Imazhi i Shqipërisë në botë është përmbysur. Ajo që ne shohim është rritja e interesit të investitorëve të huaj dhe tani nuk flasim për projekte vetëm në sektorin e energjisë, por për investitorë të mëdhenj në fushën e turizmit, teknologjisë të cilët deri pak vite më parë nuk e konsideronin Shqipërinë për të zhvilluar biznesin e tyre.
Jemi në prag të një zhvillimi në fushën e energjisë që ka të bëjë me burimet natyrore është ende konfidenciale. Do ta shikoni shumë shpejt do të gjendemi në një situatë tjetër që bashkë me lajmin e mirë vjen edhe sfida që të jesh i adaptuar me kapacitetet dhe të jesh në lartësinë e situatës.
Kemi sfida për rritjen e cilësisë së krahut të punës, Shqipëria nuk mundet më të konsiderojë avantazh konkurrues krahun e lirë të punës. Sot nuk është më. Këshilltari im për ekonominë është këshilltari i Merkel. Një lek i fortë në këtë moment dhe këtë kohë ku një lek i dobët do të na kishte sjellë një dhimbje koke katastrofike është histori suksesi, por është kambanë alarmi për sektorin fason. Ky stres do nxisë disa prej tyre që të vazhdojnë drejt ciklit të mbyllur”.
Sipas Ramës fokusi do të jetë inteligjenca artificiale që do të ndihmojë në arsim, prokurime, integrim dhe shërbime.
“Kemi folur për reformën shumë të rëndësishme që duhet të nisë në arsim ku nuk mund të jemi të papërgatitur, që krijon kjo kohë e re lëvizjes demografike rënie të lindshmërisë ndryshimet në botën teknologjike. U fokusuam te kodimi tani me inteligjencën artificiale, është se çfarë do të bëhet me këtë pjesë se mund të dalë jashtë loje.
Kemi një proces të integrimit europian që tregon transpozimin e 4 mijë 3 e ca ligje dhe akte nënligjore në legjislacionin tonë, kapaciteti ynë është 60 në vit. Vendet e tjera e kanë adresuar me mbështetje të madhe financiare e ekspertë e përkthyes. E male me letra. Por ne mund ta bëjmë këtë në një kohë shumë të shpejtë dhe kosto të ulëta. Me inteligjencën artificiale mudn të transformojë prokurimet
Kemi folur për prokurimet. Do të ndryshojmë komplet sistemin prokurimeve dhe do ta çojmë në një nivel tjetër. Jemi duke transformuar e-albania. Brenda vitit do të kemi shoqëruesin virtual me zë dhe figurë. E-albania nuk do të jetë thjesht me shkrim por do të marrësh në facetime të gjithë informacionin dhe do kryhesh shërbimin. Këtë proces do ta shtrijmë edhe në të tjerë sektorë. Edhe për drejtësinë kemi filluar një projekt të inteligjencës artificiale. Që do të rrisë transparencën”. (A2 Televizion)