
Kryeministri Edi Rama pranon se hapja e shkollave është një nga sfidat më të vështira në këtë periudhë të qarkullimit të virusit. Por, sipas tij, mbyllja e mëtejshme e fëmijëve do të shkaktonte pasoja më të rënda psikologjike te ata.
Gjatë një takimi me mësues të Tiranës, të cilët kanë organizuar mësimdhënien përmes kanalit RTSH Shkolla, kreu i qeverisë tha se kjo formë është një mundësi më shumë për nxënësit, ndërsa për mësuesit dhe mjekët premtoi mbështetje financiare.
“Procesi arsimor është i sfiduar nga domosdoshmëria për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve dhe të familjeve, por kjo është shumë e lehtë ta thuash se sa ta bësh. Kjo është një sfidë më vete, por duke vlerësuar mirë këtë vendim dhe duke parë edhe se çfarë kanë bërë të tjerët, opsioni i mbylljes së mëtejshme të shkollave ishte një opsion më i keq dhe do të shkaktonte një kosto tjetër, sidomos psikologjike për fëmijët. Pasojat do të ishin të mëdha, të cilat ne nuk jemi në gjendje t’i llogarisim deri në fund”, u shpreh kryeministri Rama. (A2 Televizion)