
Të paktën 17 persona kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm në një fabrikë çeliku pranë qytetit portual të Izmirit, në perëndim të Turqisë.
Viktimat dhe të plagosurit ishin të gjithë punonjës të fabrikës Habas Demir Celik, e cila është një nga prodhuesit kryesorë të çelikut në vend, shkruan A2.
Sipas autoriteteve lokale, shpërthimi ndodhi rreth mesditës, gjatë punimeve të planifikuara të mirëmbajtjes.
Pamjet nga vendngjarja treguan një zjarr të madh brenda kompleksit industrial dhe një re të lartë tymi që ngrihej në qiell.
Fillimisht, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan konfirmoi 16 viktima, por ministri i Shëndetësisë, Kemal Memişoğlu, njoftoi më vonë se një tjetër punonjës, i cili ndodhej në gjendje kritike, kishte ndërruar jetë, duke e çuar numrin e viktimave në 17.
Guvernatori i Izmirit, Süleyman Elban, bëri të ditur se disa persona dyshohej se mund të kishin mbetur ende nën rrënoja, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijonin operacionet në zonë.
Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave lokale, të paktën pesë persona janë arrestuar në lidhje me ngjarjen.
(A2 Televizion)