Rama: Pjetri nuk është kriminel, fshehja e ngjarjes e patolerueshme

Nga A2 CNN
16 Gusht 2019, 10:41 | Politikë
Rama: Pjetri nuk është kriminel, fshehja e ngjarjes e patolerueshme

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do të kërkojë futjen në ligj të afateve për verifikimet e kandidaturave për poste publike, para regjistrimit të tyre në zgjedhje.

Përmes një postimi në Twitter, Rama ka mbrojtur kandidatin socialist për Bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetri, nga akuzat që i janë bërë, por gjithsesi e ka quajtur të patolerueshme fshehjen e ngjarjes së arrestimit të tij në Itali.

https://a2news.com/2019/08/15/dorehiqet-valdrin-pjetri-fatet-e-qytetit-nuk-mund-te-jene-te-lidhura-me-ato-te-nje-individi/

“Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme!

Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje!”, shkruan Rama në Twitter.

https://a2news.com/2019/08/15/terheqja-e-pjetrit-basha-nuk-ndryshon-asgje-deri-ne-largimin-e-rames/

“Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë. Jo vetëm kaq, po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur. Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal. Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos