
Kryeministri Edi Rama zhvilloi në Elbasan takimin e parë me qytetarët për platformën e bashkëqeverisjes për të cilën tha se do të zgjidhë 90% të problemeve të qytetarëve. Ndonëse nga presidenti Meta u konsiderua antikushtetues, kryeministri tha se ky projektligj do të votohet në Kuvend pa asnjë ndryshim
Presidentit Meta, që e cilësoi si antikushtetues projektligjin për bashkëqeverisjen, kryeministri Rama i është kundërpërgjigjur me një event të posaçëm të organizuar në Elbasan pikërisht për të prezantuar si do të funksionojë platforma e bashkëpunimit me qytetarët.
“Ligji do të miratohet ashtu siç është pavarësisht kthimit”.
Bashkëqeverisjen kryeministri e prezantoi si zgjidhjen e 90% të problemeve të qytetarëve në lidhje me administratën.
“90% e të gjithë problematikës të këtyre marrëdhënieve kemi në dorë ta zgjidhim me pak vullnet të mirë dhe me gatishmërinë e qytetarëve për të bërë një ndryshim shumë të thjeshtë në këto marrëdhënie, duke mos shkuar në zyra për të marrë shërbime. 2022, jo më sportele”.
Banorëve të Elbasanit u foli me shembuj konkretë.
Projektligji për Agjencinë e Bashkëqeverisjes parashikon edhe një sistem vlerësimi ku qyetetarët do mund të japin notën e tyre për shërbimet dhe drejtuesit e institucioneve të cilave u janë drejtuar. (A2 Televizion)