
Lufta kundër pastrimit të parave u bë argumenti i radhës që opozita të përplasë qëndrimet me mazhorancën. Në foltoren e Kuvendit, Lulzim Basha akuzoi mazhorancën se ka favorizuar pastrimin e parave duke dhënë si shembull përgjimet e antimafies italiane. Qasje kritike ndaj qeverisë kishte edhe Taulant Balla, ndonëse ngacmoi Bashën për çështjen Toyota Yaris.
Prej dy vitesh, Shqipëria është në listën gri të vendeve për sa i përket pastrimit të parave. Amendamentet ligjore për të përmirësuar luftën ndaj fenomenit kriminal nuk u panë si të mjaftueshme për kryedemokratin Lulzim Basha, që akuzoi ekzekutivin si të lidhur me organizatat mafioze përtej Adriatikut.
“A mund të jenë këta që jo 2 javë më parë dolën përsëri në përgjimet e antimafies italiane, këtë herë me një tjetër organizatë mafioze, po aq të rrezikshme sa Ndragheta, Cosa Nostra, si garantët e një operacioni të pastrimit të parave, për të cilin merrej si i mirëqenë bashkëpunimi i zv. kryeministrit dhe drejtuesit të Drejtorisë të Pastrimit të Parave, autorët e iniciativave parandaluese?”, u shpreh Basha.
Kryetari i PD-së i ka idetë e qarta në mendjen e tij se si mund të parandalohet pastrimi i parave.
“Për të ndalur pastrimin e parave, dhe deformimet e panumërta që pandëshkueshmëria dhe korrupsioni dhe lidhjet me krimin kanë prodhuar në ekonomi dhe në shoqëri, duhet të fillojmë me pastrimin e politikës. Kjo është çështja kryesore, këtu ndahet e shkuara nga e ardhmja”, vijoi Basha.
Në mungesë të kryeministrit, stafetën e replikës e mori Taulant Balla i cili nuk i dha një përgjigje Lulzim Bashës, por hoqi një merak të vjetër që kishte me kryedemokratin.
“Meqenëse Sali Berisha na ka akuzuar të dyve për bashkëpunëtorë në çështjet e Toyota Yaris të bësh të njëjtën gjë që bëra unë me z. Basha. Unë z. Basha e kallëzova penalisht në gjykatë dhe i sugjeroj z. Basha ta kallëzoj penalisht z. Berisha në Gjykatë. Për gjëra që ju me të padrejtë na keni akuzuar ne, tani dëgjoni Saliun t’ua thotë ju”, u përgjigj Balla.
Lulzim Basha nuk qëndroi në sallën e Kuvendit për të dëgjuar replikën, ndërsa Taulant Balla, duke ruajtur ironinë ndaj Bashës, shfrytëzoi rastin për të kritikuar qeverinë.
“Kemi futur në ligj edhe parimin e gjobës, nëse Luli me Toyota Yaris siç thotë Saliu do të sillte 5 milionë, me parimin e gjobës që kemi futur në nenin 17, duhet të paguhet deri në 50% të shumës gjobë. Por ligji nuk zbatohet, sepse qeveria nuk ka nxjerrë aktet nënligjore. Kanë kaluar dy vite znj. Kryetare dhe nuk është përcaktuar ende VKM për mënyrën e vjeljes së gjobës”, tha Balla.
Lëvdatat për qeverinë kishin përfunduar në repertorin e Taulant Ballës, i cili duke folur për gjoba kërkoi ndëshkimin e ministrave dhe të deputetëve për mosrespektimin e masave anti-covid. (A2 Televizion)