
Interpelanca e thirrur nga deputeti Tritan Shehu për Ballkanin e Hapur, nisi seancën parlamentare të së enjtes. I zgjedhuri demokrat i Gjirokastrës akuzoi se iniciativa është në dëm të interesave shqiptare, por kryeministri Rama nga foltorja u përpoq ta bindte për të kundërtën.
“Ne jetojmë në një gjeografi që nuk e kemi zgjedhur dhe në këtë hapësirë jemi në kushtet ku duhet të stimulojmë prodhimin, eksportet, ndërveprimet. “Open Balkan” është vetëm për të përshpejtuar procesin Berlinit”.
Por, fjalimi i kryeministrit nuk e bindi deputetin Shehu.
“Me keqardhje ju them se pikërisht atë që kisha parashikuar, ndodhi. Ju nuk thatë asgjë, bëtë vetëm demagogji dhe u përpoqët të justifikoni të pajustifikueshmen”, tha Shehu.
Kjo deklaratë e Shehut solli ashpërsim të gjuhës së kryeministrit.
“Ti nuk më dëgjove, ti e kishe shkruar atë që lexove që më parë. Më vjen keq t’ju them që ju flisni me vete. Në partinë tuaj flitet me vete dhe për vete”, tha Rama.
“Unë do të kërkoja sinqerisht dorëheqjen tuaj. Është një akt civil pas dështimeve dhe ju keni një dështim të madh me Ballkanin e hapur”, u shpreh Shehu.
Duke mbrojtur iniciativën e Ballkanit të Hapur, kreu i qeverisë i tha Shehut se kjo nismë nuk është kundërshtuar nga asnjë institucion ndërkombëtar, e si pasojë do të vijojë punën. (A2 Televizion)