
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot programin për pagat, taksat dhe biznesin në planin e veprimit 2021-2025. Ai theksoi se duke nisur nga viti i ardhshëm do të hiqet taksa mbi pagën minimale që është 300 mijë lekë, dhe taksa mbi pagën do të nisë nga 400 mijë lekë të vjetra, ndërsa ironizoi kundërshtarët për taksën e sheshtë. Një tjetër premtim që bëri kreu i qeverisë, është rritja e pagës minimale deri në 400 mijë lekë të vjetra në mbyllje të mandatit të tretë.
“Plani ynë është ta rrisim pagën minimale në 400 mijë lekë, në mbyllje të mandatit të tretë. Nga 1 janari 2022, ne do të heqim taksën mbi pagën minimale aktuale në 400 mijë lekë, dhe duke nisur nga viti i ardhshëm nuk do të kenë taksë mbi pagën, të gjitha do t’i çojnë në shtëpi. Do ulim taksën për të gjithë ata që marrin 2.5 mln lekë në muaj, e kërkuar nga një kategori punonjësish të kualifikuar, por që është e mundur, dhe kjo masë do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2022. Taksa e sheshtë është rreziku më konkret për secilin që punon në shtet e privat dhe janë nën këtë fashë nën 1.2 milionë. Kjo taksë e propozuar nga KÇK duhet të paguajë për shtetin më shumë se sot, falë taksimit progresiv”.
Rama thotë se Shqipëria nuk është slogan, por aspiratë kombëtare që do dominojë vendimmarrjet e PS-së gjatë kësaj dekade, përkundër programit të kundërshtarëve opozitarë, që siç thotë ai është një menu dëshirash për të joshur elektoratin.
“Plani ynë është konkret me masa dhe afate të përcaktuara. I tyre është një menu dëshirash të miletit, ta hajë kush ta hajë, si në të gjitha etapat dhe ndeshjet zgjedhore. Ne themi sot atë që do të bëjmë. Ne kemi planin e Shqipërisë 2030, dhe jo për të joshur elektoratin nga të 4 anët.”
Sipas Ramës, programi i socialistëve është konkret dhe i zbatueshëm, ndërsa për programin opozitar shprehet se janë premtime që do t’i marrë era.
“Tonat janë masa të studiuara për t’u zbatuar nga qeveria, ndërsa të tyret janë premtime të lëshuara për t’i marrë era e vjeshtës së parë në qeverisjen e Lulit, Saliut, Ilirit, Monikës dhe të tërë çufove dhe bubavekaçurrelë”.
Ai shprehet i bindur në mbështetjen popullore, për shkak të gjërave të vështira që PS-ja ka marrë përsipër, por edhe të reformave të kryera në këto 7 vjet.
“Për ne, PS-ja është krijuara për të bërë gjëra të vështira, dhe historia e këtyre 30 vjetëve ka treguar se sa herë kjo forcë ka marrë përsipër gjëra të vështira, populli ka qenë gati ta mbështesë sa herë i ka rënë shkurt dhe u ka bërë bisht të vështirave, populli e ka lënë. Sot, populli është gati të na mbështesë, jo se kemi bërë gjithçka mirë apo sovrani nuk ka pakënaqësi ndaj nesh, por populli është gati të na mbështesë, se populli e di se ne nuk i bëmë bisht gjërave të vështira në këto 7 vite, por punët më të vështira kanë qenë gjëja më e mirë. Reforma e energjisë, e sistemit të qeverisjes vendore që eliminoi 300 vatra vjedhjesh, reforma e shërbimeve përmes revolucionit digjital që po transformon marrëdhënien e qytetarit me sportelin, reforma e drejtësisë që ka hapur shtegun e daljes së gjykatave, të korruptuarve dhe lidhja me politikën e korruptuar, gjëra dhe punë të vështira që po të ishin nisur 30 vjet më parë, sot Shqipëria do të ishte shumë më ndryshe.” (A2 Televizion)