Kryeministri Rama mblodhi për të 5-tën herë mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë pas tërmetit ku u diskutuan hapat e mëtejshëm që po merren për përballimin e situatës të krijuar.
Edi Rama bëri me dije se ditën e premte përfaqësuesit që kanë bërë ekspertimin e godinave do të bëjnë një bilanc më të detajuar për situatën e krijuar dhe për ndërtesat që duhen shembur apo jo.
“Duhet t’iu japim njerëzve garanci që godinat nuk përbëjnë rrezikshmëri dhe njëkohësisht duhet të vëmë në kryq të gjithë godinat që duhen shembur. Ditën e premte, përfaqësues të ekspertimit të godinave do të paraqesin për publikun raste dhe tipologji ndërtimesh për të treguar se nga dhe për çfarë duhet të ketë një shqetësim. Pastaj në çdo rast duhet të bëhet një ekspertim i veçantë. Të premten do të ndiqni nga goja e atyre që dinë se çfarë flasim. Dua t’u bëj apel mediave të adresojnë pyetjet për këto grupe, nuk iu kushton asgjë t’i kërkojnë ekspertët dhe t’i pyesin”, tha kryeministri. (A2 Televizion)