Tërmeti në Krujë, Bashkia: Shumë të pastrehë, nis vlerësimi i banesave

Nga A2 CNN
1 Dhjetor 2019, 22:15 | Aktualitet

Shtëpia është objekti që më së shumti këta fëmijë vizatojnë. Dhe një të tillë që prej 26 nëntorit nuk e kanë. Ata së bashku me prindërit janë strehuar në një prej palestrave të shkollave në Krujë, pasi banesa e tyre u shpall e pabanueshme. Por nuk janë të vetmit. Sipas bashkisë Krujë situata mund të behet e papërballueshme gjatë dhjetorit.

“Druhem se kërkesat për strehim do të jenë shumë më të larta se mundësitë tona”, thotë sekretari i përgjithshëm i Bashkisë Krujë, Florind Cerhozi.  

Sekretari i përgjithshëm i Bashkisë Krujë, Florind Cerhozi.  

Kudo nëpër rrugët e Krujës qytetarët na ftojnë të filmojmë banesat e tyre. Të paqartë nëse mund t’i besojnë mureve të shtëpisë pa pasur më parë miratimin e ekspertëve ata me ankth ndjekin inspektimin  e grupeve të vlerësimit.

Inxhinierët grekë dhe zviceranët i janë bashkuar inspektoratit të ndërtimit në Krujë. Diku në greqisht, diku në anglisht banorët tentojnë t’u sqarojnë pasiguritë.

Një nga ekspertët zviceranë në Krujë

Ky kryq jeshil, tregon se ndërtesa është e sigurt, ai portokalli ndalon banorët të futen në të deri sa të mbarojë aktiviteti sizmik, ndërsa nëse shënjohet me kryq të kuq, godina është e pabanueshme.

Një këngëtar kosovar po financon qëndrimin e këtyre banorëve në një hotel në Krujë, ndërsa ndërtuesi i pallatit të tyre, i shpallur i pabanueshëm thonë se i ka injoruar totalisht, por financon për Thumanën. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos