“Rama, vasal i Vuçiç”, Berisha: Masakra e Reçakut, krim horror kundër njerëzimit

Nga A2 CNN
15 Janar 2023, 20:19 | Politikë
“Rama, vasal i Vuçiç”, Berisha: Masakra e

Në 24-vjetorin e masakrës së Reçakut në Kosovë, ku u vranë 45 civilë të pafajshëm, kreu demokrat Sali Berisha ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale. Ai e quan atë ngjarje si një krim horror kundër njerëzimit.

Ndërkohë, Berisha ngre akuza edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, për të cilin shkruan se është vasal i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pasi sipas tij, ka bllokuar në parlament rezolutën e dënimit të gjenocidit serb në Kosovë.

Masakra e Reçakut, krim horror kundër njerëzimit!

Edi Rama si vasal i Vuçiçit bllokon në parlament rezolutën e dënimit të gjenocidit serb në Kosovë.

Miq, me 15 janar të vitit 1999 falanga terroriste serbe kryen në Raçak të Kosovës një nga krimet më të shëmtuara, masakrat më horror të dëgjuar ndonjëherë. Terroristët serbë vranë, therën, masakruan në një natë në fshatin Raçak 45 gra, fëmijë, burra vetëm e vetëm se i përkisnin etnisë shqiptare.

Viktimat e pafajshme të Raçakut u shndërruan në apelin e fuqishëm të shqiptarëve të Kosovës, në klithmën dhe kushtrimin e të rënëve nga barbaritë serbe dhe tronditën thellë ndërgjegjen e shtetarëve dhe qytetarëve në vendet e lira dhe mbarë botën. Masakra e Reçakut i dëshmoi njerëzimit fytyrën mizore të Sllobodan Millosheviçit, geobelsit të tij Vuçiç dhe regjimit të tyre barbar.

Tragjike sot është se Edi Rama, ky vasal i shpifur i Aleksandër Vuçiç, bllokon me urdhër të padronit të tij prej një viti votimin ne Parlament të Rezolutës së deputetëve të Partisë Demokratike për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë.

Duke u përulur me nderimin më të thellë sot para viktimave të kësaj masakre të epsheve raciste shtazore serbe ndaj shqiptareve, ju bëjë thirrje OKB dhe qeverive të vendeve të vendosin para drejtësisë autorët, porositësit dhe organizatorët e Beogradit të kësaj masakre si dhe ata qe mohojnë krimin monstruoz ndaj banorëve të Reçakut dhe mbarë Kosovës.

Prandaj dhe duke ndarë dhimbjen e thellë me familjet dhe të afërmit e viktimave të masakrës së Reçakut, dënoj me forcën më të madhe si autorët e krimit monstruoz ashtu qëndrimin tradhtar antikombëtar të Edi Ramës që ka shndërruar Shqipërinë në vend vasal të Beogradit.

Nderim përjetë viktimave të Reçakut.

Sali Berisha

Më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se 45 civilët e masakruar 24 vjet më parë në Reçak të Shtimes trokasin çdo ditë në ndërgjegjen e secilit për drejtësi. Osmani tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ishte përkujdesur t’i masakronte edhe një herë viktimat me propagandën të cilës i printe pas masakrës.

Në 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut ka reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier. “Askush mos ta harrojë apo mohojë atë që ka ndodhur këtu”, ka shkruar në Tëitter ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Në përgjigje të kësaj mizorie dhe të tjerave, SHBA bashkë me aleatët e NATO-s, vepruan për mbrojtjen e civilëve të pambrojtur, në emër të paqes, lirisë dhe stabilitetit”, shkroi ai. Sipas tij, të gjithë njerëzit, pavarësisht etnisë apo fesë, meritojnë të jetojnë të lirë.  “Ne besojmë që të gjithë njerëzit, pavarësisht etnisë apo fesë, meritojnë dinjitetin e të jetuarit në liri dhe siguri”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/01/15/masakra-e-recakut-xhacka-kujtimi-i-mijera-te-vrareve-nga-regjimi-serb-ne-kosove-kerkon-ende-drejtesi-dhe-pajtim/

A2 CNN Livestream

Latest Videos