Raporti i Avokatit të Popullit, kriza e çmimeve vështirësoi jetesën e qytetarëve

Nga A2 CNN
8 Maj 2023, 15:09 | Ekonomi
Raporti i Avokatit të Popullit, kriza e çmimeve

Rritja e pagës minimale nga qeveria nuk pritet të sjellë mirëqenien e duhur për qytetarët sipas ekspertëve të ekonomisë, pasi llogaritja nuk është bërë duke u bazuar në minimumin jetik.

18 mijë e 500 lekë është minimalisht vlera që çdo qytetar duhet të ketë për përballimin e jetesës, sipas raportit të Avokatit të Popullit të rillogaritur edhe njëherë në bazë të inflacionit në vend. 

Ekspertja e ekonomisë, Suzana Guxholli, thotë se qytetarët jetojnë nën këtë vlerë duke mos marrë as shërbimet më bazike.

“Minimumi jetik tregon sesa janë të mirat bazë që i duhen çdo individi për të bërë një jetë dinjitoze me çdo të mirë dhe shërbim që ai merr me vlera minimale. Jemi në një vend që rritja e pagave nuk ka prodhuar mirëqenie sepse bëhet jo e studiuar dhe me goditje dhe është efekti elektoral i këtij viti dhe se si do ta përballoj buxheti bashkë me luhatjet kjo nuk është bërë e qartë. Kjo kërkon një studim makro ku të vihen në diskutim të gjithë aktorët dhe të dëgjohen.”

Në raportin e dërguar në Kuvend, Avokati i Popullit thekson se duhen përcaktuar kritere e metoda të besueshme për llogaritjen e minimumit jetik.

Edhe pse tepër i nevojshëm në valën e çmimeve të larta, sipas ekspertes Guxholli, qeveria nuk e miraton  jo për kritere financiare, por preferenca politike.

“Në bazë të këtij minimumi, duhet të përcaktohet pensioni minimal, ndihma ekonomike, pagesa që ju jepet invalidëve dhe paga minimale. Gjë që do të kërkojë që qeveria të ndryshojë strukturën e shpërndarjes të të ardhurave prandaj është refuzuar të mos bëhet, se kjo shpërndarje bëhet me kritere jofinanciare e  ekonomike të vërteta, por me interesa zgjedhore e politike.”

Shqipëria prej 32 vitesh vuan mungesën e përcaktimit të një minimumi jetik. Për marrjen e kësaj iniciative Suzana Guxholli sugjeron ndryshimin gradualisht të sistemit të pagesave dhe forcimin e mbrojtjes sociale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos