
Kreditimi i ekonomisë shfaqi shenja rikuperimi gjatë tremujorit të tretë të vitit, si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe në atë të individëve. Totali i kredisë në banka arriti në fund të muajit shtator në 565 miliardë lekë, rreth 30 miliardë lekë apo 5.6% më shumë se shtatori i kaluar.
Por pavarësisht kërkesës së shtuar për financim, bankat shprehen pesimiste dhe perceptojnë rreziqe të shtuara, që vijnë kryesisht nga gjendja e ekonomisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, biznesi po merr më pak hua në banka për investime dhe më shumë për të mbuluar nevojat për likuiditet, apo për të rifinancuar borxhet ekzistuese. Nga ana tjetër, individët po kërkojnë më shumë kredi si për konsum, ashtu edhe për blerje banesash.
Pikërisht në këtë treg që mban peshën kryesore të kreditimit të individëve, bankat perceptojnë rrezik të shtuar. Për këtë arsye, ato kanë shtrënguar kushtet e kreditimit, duke kërkuar më shumë kolateral.
Ndërkohë ajo çfarë vihet re gjatë vitit të kaluar është rritja e peshës që kredia në lekë zë ndaj asaj në valutë, veçanërisht në sektorin e individëve. Kjo shihet edhe si një mënyrë për t’u mbrojtur nga luhatjet në kursin e këmbimit në të ardhmen. (A2 Televizion)