
Rreth pasdites së të mërkurës ka përfunduar mbledhja e qeverisë, që nisi që në orët e paradites. Në rendin e ditës ishte parashikuar të kalonin dy draftet më të rëndësishëm të financave publike: buxheti 2020 dhe paketa fiskale që e shoqëron.
Në fakt, ndryshe nga vitet e mëparshme, nuk bëhet fjalë për ndryshime të mirëfillta në nivelin e taksave dhe tatimeve. Por vetëm lehtësi për të nxitur disa industri të caktuara. Kështu, ndryshimi i parë është ulja nga 15 në 5% e tatimit mbi fitimin për prodhuesit e pjesëve të automjeteve, një industri e quajtur ndryshe automotivë. Ndryshim i dytë, është ulja e tatimit mbi të ardhurat personale për sportistët; për të mbetur brenda kësaj industrie, parashikohen lehtësi fiskale për sponsorët e aktiviteteve sportive.
Qeveria do të ulë taksat për automjetet e luksit, si dhe parashikon gjoba progresive për shmangiet e ndryshme fiskale që do të bëjnë bizneset. Për sa i përket buxhetit, qeveria i mbetet parashikimit për një rritje ekonomike relativisht të lartë, por më e moderuar kundrejt objektivit të këtij viti. Sektorët prioritarë do të jenë arsim, shëndetësi, bujqësi dhe turizëm.
Këto ndërhyrje të qeverisë u diskutuan në A2 Business Week, ku të ftuar ishin dy ekspertët e ekonomisë Selami Xhepa dhe Bardhi Sejdarasi.
“Ky diskutim duhet të ishte bërë më parë. Është e palejueshme që të futesh në faqen e ministrisë dhe të gjesh fotografi të ministrit dhe fjalimeve dhe të mos gjesh dokumentin më fondamental që është ligji i buxhetit të shtetit dhe ndryshimet fiskale. Nga kjo pikëpamje është shkelur ligji. Shqipëria ndodhet në një ekuilibër jashtëzakonisht të dobët fiskal, pasi niveli i të ardhurave, 27% i GDP-së, na bën që ne të kemi gjysmën e shpenzimeve që kanë vendet e tjera, Mali i Zi e Kroacia. Në kushtet ku ndodhet sot ekonomia, alternativa e vetme mbetet ato që nuk shihen, por që duhen bërë për ditë, klima e biznesit”, tha Xhepa.
“Për mua nuk ka paketë fiskale. Këto janë korrigjime. Si paketa fiskale e plotë mund të merret paketa e fiskalizimit, e cila ka një ligj bazë dhe ndërhyn në 8 ligje të tjera. Tatim fitimi ka qenë një kërkesë e hershme e kësaj industrie, pasi ne kemi 3 kopani, të cilat punojnë sot në Shqipëri. Kemi një kompani gjermane në Elbasan, një kompani koreanojugore në Fier, të cilët pretendojnë të punësojnë një numër të konsiderueshëm punonjësish", u shpreh Sejdarasi (A2 Televizion)