Raporti i KiE për zgjedhjet: Shqetësuese blerja e votave, u përdor administrata

Nga A2 CNN
22 Qershor 2021, 12:44 | Politikë
Raporti i KiE për zgjedhjet: Shqetësuese blerja e votave, u

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka publikuar raportin e saj për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri. Në dokumentin prej 15 faqesh të përpiluar nga vëzhguesit në terren të Asamblesë, evidentohet përfshirja e administratës në fushatë, apo përfitimi nga funksionet publike të kandidatëve.

“Partia në pushtet përfitoi nga detyra, përfshi këtu kontrollin e administratës vendore dhe keqpërdorimin e burimeve administrative. Por, kjo gjë u amplifikua nga mbulimi i medias për qeverinë. Gjithashtu, u pa që autoritetet përfituan nga funksionet publike"

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës

Raporti përmend dhe shitblerjen e votës, si një fenomen të përhapur gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa kërkon nga autoritetet një investigim serioz.

Delegacioni i Asamblesë ka shprehur shqetësimin mbi shitblerjen e votës nga partitë, si një fenomen i përhapur në fushatë. Delegacioni pret që institucionet përkatëse të marrin masa mbi këtë fenomen.

Sistemi i Patronazhimit nuk u la pa përmendur as nga Asambleja, e cila e sheh si shqetësim dhe cenim të votuesit rrjedhjen e të dhënave.

“Fushatës i mungoi vrulli dhe mesazhet u fokusuan kryesisht te kryetarët e partive, në vend të diskutimit të mirëfilltë mbi çështjet. Rrjedhja e të dhënave sensitive personale, duke përfshirë dhe preferencat partiake, ishin një shqetësim serioz, që i bën votuesit të cënueshëm.”

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës

Duke vlerësuar KQZ-në për punën e bërë, raporti nxjerr në pah dhe rolin e presidentit në zgjedhje, të cilin e sheh si ndikues të drejtpërdrejtë.

Hapësira politike u dominua nga dy parti kryesore, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Presidenti Meta, ish-kryetar i LSI-së, në ushtrimin e një roli kushtetues jo-politik, kishte një marrëdhënie të tensionuar publike me Kryeministrin Edi Rama dhe shpesh ndërmori iniciativa, ose kritioi ashpër qeverinë me terma të fortë, duke ndikuar drejtpërdrejtë në zgjedhje.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës

Raporti përmend dhe reformën zgjedhore, duke theksuar se disa prej rekomandimeve të Venecias ende nuk janë zbatuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos