Raporti i Transparency International: Shqipëria “ka bërë përmirësime domethënëse”, por lufta kundër korrupsionit mbetet problem

Nga A2 CNN
28 Janar 2021, 08:19 | Aktualitet

Organizata Transparency International bëri publike në orët e fundit raportin e përvitshëm për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë.

Sipas këtij raporti, viti që lamë pas solli një zhvillim jo shumë të mirë për sa i përket korrupsionit, ku shumë vende kanë bërë pak ose aspak përparim për të luftuar këtë dukuri kaq të dëmshme.

Sipas Transparency International, dy të tretat e vendeve ose kanë mbetur në vend ose kanë pësuar rënie për sa i takon luftës kundër korrupsionit. Shqipëria dhe Kosova janë vlerësuar me 36 pikë në një sistem llogaritjeje të indeksit, ku 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni dhe zero, korrupsioni më i lartë.

Shqipëria është futur në kategorinë e vendeve me përparim domethënës, pasi ka ngjitur 5 vende që prej vitit 2013. Por gjithsesi mbetet në grupin e vendeve që po hasin vështirësi në luftën korrupsionit.

Gjatë një interviste për “VOA”, këshilltarja rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore, Lidija Prokic shprehet se raporti i këtij viti ka analizuar se si gjithë këto mangësi janë reflektuar edhe te pasojat për COVID-in dhe Transparency International ka ndeshur probleme në këtë drejtim në Shqipëri.

“Kemi vërejtur shqetësime në lidhje me transparencën edhe në prokurimin publik të lidhur me COVID-in. Dhe kjo është diçka që me të vërtetë meriton shumë vëmendje nga ana e qeverisë. Do të ishte shumë inkurajuese nëse qeveria të reagonte për ato shqetësime”, raporton Prokic.

Duke iu referuar paketës antishpifje, Prokic thotë se është një çështje shumë e ndjeshme dhe se këto veprime kanë ndikim te lufta kundër korrupsionit.

“Ato jo vetëm që shkelin lirinë e shprehjes së qytetarëve, por gjithashtu frenojnë, ose më saktë kanë një efekt frikësues dhe paralizues te njerëzit që ndoshta mund të vendosnin të raportonin raste korrupsioni ose të paraqisnin prova për akuzat për korrupsion”, u shpreh zyrtarja e Transparency International. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos