
Partia Demokratike e cilësoi ngjarjen e Velipojës si kapitullim të shtetit përpara krimit. Në një deklaratë për mediat, deputetja e zgjedhur Greta Bardeli njoftoi se Policia po përdoret për të mbrojtur interesat e regjimit dhe jo të qytetarëve.
“Masakra e ndodhur në mesnatë ekspozon edhe njëherë gjunjëzimin e shtetit para krimit, rënien e rendit dhe sigurisë pikërisht për shkak të atyre që e kanë normalizuar krimin duke e bërë atë pjesë të pushtetit, ndërsa policinë e përdorin për mbrojtur interesat e regjimit dhe jo të qytetarëve”.
Me të njëjtën gjuhë si të kryedemokratit Basha, Bardeli tha se jeta e shqiptarëve është e rrezikuar, ndërsa e cilëson të turpshëm postimin e sotëm në Facebook të kryeministrit Rama.
“Kjo masakër, në një zonë turistike dhe në mes të sezonit, dëshmon edhe njëherë se me Edi Ramën jetët e qytetarëve, familjeve dhe fëmijëve shqiptarë janë të rrezikuara nga dorëzimi i shtetit përpara grupeve kriminiale.
Ku strategjia makabër e “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”, pasqyrohet edhe nga postimi i turpshëm në facebook i Edi Ramës, me të cilin tregon se ai jeton i shkëputur nga realiteti, që nuk njeh dhe nuk mban përgjegjësi për dorëzimin pa kushte të Velipojës, Shkodrës dhe Shqipërisë në duart e krimit”.
Sipas saj kjo gjendje dëmton imazhin e Shqipërisë dhe ekonominë e vendit, që ka turizmin e ka jetik.
“Kjo gjendje ankthi dhe pasigurie, dëmton Velipojën, dëmton Shkodrën dhe dëmton imazhin e Shqipërisë në një moment të vështirë për ekonominë e vendit tonë, që ka turizmin një element jetik të saj. Prandaj kërkojmë që Policia e Shteti të gjej forcën për t’u distancuar nga regjimi dhe të veproj e e lirë nga presionet politike, duke u ngritur në lartësinë e detyrës që i cakton Kushtetuta, në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të qytetarëve”. (A2 Televizion)