Mëngjesi: Drithëra me kos, fruta dhe mjaltë. Ata me shije më të rafinuar, kosit mund t’i shtojnë kardamom, vanilje, hurma arabie dhe fistika. Dreka: Sallatë me bazë drithërat apo bishtajoret, sepse ndihmon në parandalimin e rritjes së sheqerit në gjak, ndërkohë që i jep energji trurit tuaj për të përballuar ditën. Gjithashtu frenon urinë në orët e mbrëmjes dhe të natës. Receta me grurë, qepë të kuqe, kunguj, bajame ose fara kungulli, shegë, djathë të bardhë dhe uthull molle, është idealja. Vakte të ndërmjetme: Studimet tregojnë se pak njerëz hanë mjaftueshëm arra ose lajthi, të cilat janë zgjedhje ideale. Megjithatë, duhet bërë kujdes me racionet. Një pjatë me za’atar, një recetë e Lindjes së Mesme, me bajame të pjekura, rozmarinë, trumzë, rigon, kripë dhe vaj ulliri, është perfekte. Darka: Nëse mishi konsumohet rrallë në dietën mesdhetare, peshku dhe frutat e detit preferohet të konsumohen dy herë në javë. Receta me salmon, rrush të kuq të pjekur, spec të kuq, spec jeshil, qepë të kuqe, lëng limoni dhe koriandër është një sugjerim perfekt. Ëmbëlsira: Bakllavaja, tiramisuja, kanolit, akullorja apo delikatesa të tjera janë vetëm për raste të veçanta. Këshillohet ngrënia e frutave të freskëta, si një tas me luleshtrydhe i shoqëruar më tërshërë dhe “ricotta”. Ushqime për fëmijët: Nëse të vegjlit “bëjnë naze”, mund t’u përgatisni pica, të shijshme dhe të shëndetshme. Brumi i picës është fytyra, ullinjtë e zinj vendosen si sy, speci i pjekur i kuq jep buzëqeshjen e merituar, ndërsa spinaqin mund ta përdorni si flokë.
E konsideruar si një prej dietave më të shëndetshme në botë, mënyra mesdhetare e të ushqyerit shmang ushqimet e konservuara dhe mishin e kuq, duke u përqendruar te frutat dhe perimet e freskëta, arrorët dhe farat, gruri dhe vaji i ullirit.
Është vërtetuar se kjo mënyrë e të ushqyerit ul rrezikun e diabetit, kolesterolit të lartë, sklerozës, humbjes së kujtesës, depresionit dhe kancerit të gjirit, si dhe është lidhur me forcimin e kockave, zemrat e shëndetshme dhe jetëgjatësinë. Pa harruar humbjen e peshës!
Mënyra më e thjeshtë për ta nisur dietën mesdhetare është zëvendësimi i një vakti të ditës me ushqime që kanë si bazë bimët, ose drithërat. Nutricionisti Rahaf Al Bochi, bashkëpunëtor i CNN, zbulon disa receta për të lehtësuar kalimin te një dietë e plotë mesdhetare. (A2 Televizion)