
Një kontroll i fortë i brendshëm i financave publike, për një menaxhim sa më të mirë të parave të shqiptarëve. Ky ishte mesazhi i përcjellë nga Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, gjatë një konference mbi këtë reformë në financat publike.
Për ambasadorin e Zvicrës, Adrian Maitre, një prej donatorëve kryesorë në këtë reformë, pavarësisht ligjeve të miratuara për kontrollin e brendshëm, ka ende vend për përmirësim në zbatimin e tyre.
“Menaxhimi i duhur i burimeve financiare përfshin edhe mbrojtjen e duhur të të dhënave. Forcimi i sistemeve të kontrollit të brendshëm, si në nivel qendror ashtu edhe vendor, është pjesë jetike e reformave të menaxhimit të financave publike. Kjo punë është ende në progres. Kuadri ligjor është vendosur dhe sipas progres raportit është në linjë me standardet ndërkombëtare. Por zbatimi ka ende vend për t’u përmirësuar”.
Ambasadori theksoi edhe nevojën për më shumë fonde për pushtetin vendor, që pas reformës territoriale ka marrë përsipër më shumë funksione dhe shërbime për qytetarët.
Kontrolli i brendshëm parashikon auditimin e shpenzimeve që kryen çdo institucion nga njësi të veçanta brenda tyre. Kjo për të reduktuar rrezikun për shpërdorimin e fondeve. (A2 Televizion)