Reforma Zgjedhore, 2 vite në pritje të ndryshimit të kodit

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2019, 14:53 | Politikë
Reforma Zgjedhore, 2 vite në pritje të ndryshimit të kodit

Në vjeshtën e vitit 2017, Bledi Çuçi dhe Oerd Bylykbashi morën drejtimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Me shtysën e ndërkombëtarëve për të mos ta lënë si gjithmonë ndërhyrjen në kod, në minutën e fundit. Që prej atëherë, struktura e posaçme ka ndryshuar disa herë kryetarë dhe anëtarë, por pa përcjellë kurrë në seancë një produkt për të votuar.

Çuçi u zëvendësua nga Blerina Gjylameti e më pas nga Damian Gjiknuri, ndërsa Oerd Bylykbashi nga Rudina Hajdari. Por më shumë se dy vjet më pas asgjë nuk duket se ka ndryshuar. Vetëm në vjeshtën e 2019 ekspertët i paraqitën komisionit 3 drafte në të cilat parashikohej një formulë e re për KQZ-në, përdorimi I teknologjisë në zgjedhje, reduktim I financimit të partive nga privati, monitorim i përdorimit të administratës për fushatë. Por këto ishin të pamjaftueshme për opozitën e re, që në prill u vendos në komision për të zëvendësuar atë të vjetrën.

Në komision u ftuan dhe PD e LSI me formulën e çuditshme të vëzhguesit me të drejtë vetoje. Pak para zgjedhjeve të qershorit, emri i Damian Gjiknurit u përfshi në përgjimet e medias gjermane “Bild”, për zgjedhjet e pjesshme të vitit 2017 në Dibër. Prej këtij momenti, ai nuk ishte më vetëm subjekt i deklaratave nga foltorja apo i pankartave në protestat e opozitës, por dhe një kauzë e përkohshme për opozitën parlamentare.

Bashkëkryetari I komisionit të reformës kushtëzoi vetësakrifikimin e tij me kthimin e demokratëve në komisionin. Marrja si të mirëqena të votave që dispononin dhe fokusimi tek para tek paraardhësit, revoltoi opozitën parlamentare. Ajo u ndje e përdorur kur Kryeministri Rama njoftoi se Reforma Zgjedhore do të ndahej në 2 faza. Në fillim rekomandimet e OSBE/ODIHR që kërkoheshin nga ndërkombëtarët dhe vetëm në një moment të dytë, ndryshimi i sistemit që kërkohej nga të rinjtë.

Ndërkombëtarët u vunë disa herë në lëvizje duke organizuar tryeza të posaçme kur pranoi të shkonte dhe PD. Pikërisht të huajve e jo parlamentit, PD kërkoi t’i besohej reforma. Por brenda pak minutash u kuptua se nuk gëzonte dakordësinë e tyre. Paralelisht me ekspertët në komisionin, edhe PD nisi përgatitjet për variantin e saj për ndryshimin e kodit. Pasi Bundestagu gjerman e kishte vendosur si një ndër kushtet për hapjen e negociatave.

Në tentativë për të ulur palët në dialog, OSBE organizoi 2 tryeza publike dhe një tjetër pa mediat, ku palët u njohën me alternativat e mundshme për përdorimin e teknologjisë. Të dakordësuar që në fillesat e bashkëpunimit Bylykbashi-Çuçi. Madje ndërkombëtarët, u propozuan nga PS si ura lidhëse mes tyre dhe opozitës jashtë për të arritur një draft konsensual.

Damian Gjiknuri nuk ishte më i gatshëm të largohej për hatër të opozitës jashtë, por rriti ofertën. Përballë këtij flirti që e kanë denoncuar jo rrallë, edhe pjesa tjetër e komisionit kishte kushtet e veta. Vetëm në fund të dhjetorit, opozita në Parlament dërgoi të shkruar propozimin e  saj për ndryshimin e sistemit në proporcional kombëtar me lista të hapura, të cilin pretendon se e ka dakordësuar dhe me aleatët e PD.

Në Shqipërinë e 2 opozitave, secila vazhdon rrugën e vet. PD kërkon financimin e fushatave 100% nga shteti. Përdorimin e elektronikës që në zgjedhjet e ardhshme dhe ashtu si PS, depolitizimin e  administratës zgjedhore. Ashtu si socialistët nuk janë ende dakord për të futur në diskutim ndryshimin e  sistemit zgjedhor, pavarësisht presionit të aleatëve.

Por të majtët, në distancë i kundërshtojnë për formulën e zgjedhur për të riformatuar KQZ. Duke e ndarë atë në 3 nivele të drejtuara nga 1 njeri i vetëm. Ky mospëlqim mesa duket i është njoftuar dhe maxhorancës, që pranoi ta heqë përkohësisht nga drafti i ekspertëve, këtë formulë për KQZ-në e hoqi dhe risolli në skenë kolegjin zgjedhor.

Tërmeti i fundnëntorit ishte justifikimi i të gjithëve për të mos respektimin e skadencës së dhjetorit, muaj brenda të cilit kërkohej nga ndërkombëtarët Reforma Zgjedhore, e nisur 2 vjet më parë. A do të rezultojë më e suksesshme 2020? Kjo mbetet për t’u parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos