Në komunikimin e përjavshëm me gazetarët këtë të premte, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u pyet edhe për bisedimet për reformën zgjedhore, duke thënë se nuk ka qenë pjesë e tryezës deri tani.
Meta ka theksuar se, në dijeninë e tij, opozita nuk ka vendosur një kusht për qeveri tranzitore.
“Shpresoj që të arrihet një kompromis, në mënyrë që Komisioni Evropian ta shënojë si një arritje. Duket se ka një proces dhe çështja ka mbetur në mirëbesim në disa aspekte që unë mendoj se do të ndikojnë në konsensus. Në dijeninë time, opozita nuk ka vendosur një kusht për qeveri tranzitore dhe kjo e bën konsensusin më të mundur. Uroj që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt”, tha Meta.
Gazetarja e A2, Marsela Karapanço, pyeti presidentin Meta nëse ai kishte pasur një komunikim me kreun e PD gjatë kësaj kohe.
“Mesazhi im për opozitën, ka qenë: Gjithçka për konsensus. Që në momentin e shkatërrimit në mënyrë të paligjshme të Teatrit, ka qenë: Mos bini pre e provokimit të radhës, për t’u larguar nga tryeza e reformës. Mesazhi tjetër: Mos paraqisni një listë dëshirash, por qëndroni qartë tek elementet bazike, për të cilat do të keni përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe atyre që janë mjaft të shqetësuar për problemet e zgjedhjeve në Shqipëri”, u shpreh Meta. (A2 Televizion)