Ndërkohë që ka propozuar sot emrin e Arben Shehut për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, pasi ky i fundit i kishte kërkuar dërgimin e emrit të kandidatit për KLSH.
Në letër Meta thotë se deri më tani është vënë para faktit të kryer të rrëzimit të propozimeve për tre kandidatura radhazi për në KLSH, ndërkohë që “të tre këto kandidatura përmbushnin kriteret ligjore dhe gëzonin përvojë të gjerë profesionale”.
Presidenti nënvizon në letrën e tij që ka nisur një fushatë për miratimin e një projektligji, për emërimin e zëvendëskryetarit të KLSH, që sipas tij “ka për qëllim ushtrimin e presionit politik ndaj Presidentit, për të propozuar një kandidaturë nga ato që kërkon prej kohësh mazhoranca”.
Sipas tij, ky veprim tregon mungesë vullneti për bashkëpunim të Kuvendit ndaj tij, në të njëjtën vijë me atë që ndodhi me Gjykatën Kushtetuese. (A2 Televizion)