
Anëtarja e kryesisë së PD, Jorida Tabaku komentoi në edicionin e lajmeve Ditari në A2 CNN rekomandimin e fundit nga Komisioni Evropian për të çelur negociatat për Shqipërinë.
Tabaku u shpreh që ky rekomandim që jepet sot për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk është asnjë gjë të re.
“Është një rekomandim i disatë për dy vendet që kanë qenë bashkë në procesin e integrimit dhe shpresoj që të mos ndahemi, pasi nëse për Maqedoninë e Veriut do të hapeshin negociatat, për Shqipërinë do të ishte më e vështirë. Ky vendim i Komisionit nuk përbën lajm të ri, lajm i ri do të ishte nëse vendet anëtarë do vendosnin për hapjen e negociatave.”, deklaroi ish deputetja e Partisë Demokratike.
Gjithashtu, Tabaku shtoi se hapja e negociatave është një proces merite që bazohet tek arritjet e Shqipërisë. Sipas saj, Shqipëria, në fushat ku priteshin arritje si reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit nuk ka pasur rezultate, madje ka shënuar regres. (A2 Televizion)