
Shoqata “Reporterët pa Kufij” ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj Princit të Kurorës Saudite dhe disa drejtuesve të tjerë në Arabinë Saudite. Ky veprim vjen disa ditë pas publikimit të raportit të Agjencisë Amerikane të Inteligjencës mbi përfshirjen e Princit të Kurorës Mohammed bin Salman në vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi.
Kallëzimi penal 500-faqësh, u dërgua më 1 mars para Prokurorit të Përgjithshëm Publik në Gjermani dhe përfshin edhe ndalimet e bëra ndaj më shumë se 30 gazetarëve.
“Kush është përgjegjës për përndjekje të gazetarëve në Arabinë Saudite, duke përfshirë vrasjen e Jamal Khashoggit, duhet të dënohet për krimet e kryera”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës “Reporterët pa Kufij” Christophe Deloire. (A2 Televizion)