
Mijëra nxënës të sistemit parauniversitar kanë filluar vitin shkollor në rrethet e vendit. Nën masat dhe rregullat e pandemisë, nxënësit kanë nisur mësimet në klasa pas gjashtë muajsh ndërprerje.
Në Durrës janë plot 24,624 nxënës që ulen në bankat e shkollës me turne, nga të cilët 1777 për herë të parë, nga këto 1448 në shkollat publike dhe 329 në ato private, ndërsa rreth 2400 nxënës janë maturantë.
Në Elbasan i janë drejtuar shkollës 21,246 nxënës të arsimit parauniversitar, nga të cilët 1394 janë ulur për herë të parë në bankat e shkollës.
Edhe në rrethin e Vlorës ka nisur procesi mësimor për 17,345 nxënës të arsimit parauniversitar. Në Shkodër 25,500 nxënës i janë drejtuar institucioneve arsimore, ku në shumicën e shkollave mësimi do të zhvillohet me dy turne. (A2 Televizion)