
Mijëra qytetarë shqiptarë kanë lënë vendin mëngjesin e 1 qershorit, dita e parë e rihapjes së kufijve tokësorë, pas bllokimit për shkak të pandemisë Covid-19.
Thuajse të gjitha pikat kufitare tokësore, si ato me Greqinë, ashtu edhe ato me Kosovën, Mali i Zi dhe Maqedoninë e Veriut, kanë pasur qindra shtetas shqiptarë që kanë lënë vendin.
Fluksi më i lartë i lëvizjes së njerëzve ka qenë në drejtim të Kosovës. Në pikën e përbashkët kufitare, në Morinë, radhët e gjata janë drejt Kosovës, ndërsa kosovarët që udhëtojnë drejt Shqipërisë ishin më të paktë.
Autoritetet kufitare të Kosovës kanë lajmëruar se do të vendoset në karantinim 7-ditor kushdo që hyn në territorin e Kosovës, që nuk ka një certifikatë të lëshuar jo më shumë se katër ditë më parë, që është negative ndaj Covid-19.
Ndërkohë, në pikat e tjera tokësorë të kalimit kufitar, pjesa dërrmuese e personave që kanë dalë jashtë vendit janë punëtorë sezonalë që punojnë në Greqi, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. E ndërkohë, që me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut shtetasit shqiptarë mund të lëvizin normalisht, në Greqi lejohet të shkojnë vetëm ata persona që kanë leje qëndrimi greke ose kontratë për punësim sezonal.
Kjo, për arsye se Greqia si vend i Bashkimit Evropian ende nuk ka një hapje të lirë të kufijve, gjë që pritet të ndodhë pas datës 15 qershor.
Lista e punëtorëve sezonalë u është dërguar doganave shqiptarë dhe atyre greke, në mënyrë që të lejohet kalimi i tyre.
Ndërkohë, për personat shqiptarë dhe të huaj që futen në vendin tonë është hequr karantimi i detyruar. Ajo që ra në sy në ditën e parë të rihapjes së kufijve, ishte mungesa e grupeve mjekësore, të cilat nuk ishin prezente në asnjë pikë kufitare tokësore. (A2 Televizion)