
E hëna ka nisur me aktivizimin e fashës së tretë të bizneseve në të gjithë vendin në kuadër të hapjes graduale të ekonomisë.
Kjo kategori biznesi përfshihet në protokollin e verdhë të sigurisë, klasifikuar me një nivel të mesëm rrezikshmërie. Ndër masat që duhen zbatuar është dezinfektimi i ambienteve dhe pajisjeve si dhe veshjet njëpërdorimshe për çdo klient.
“I kemi marrë të gjithë masat që na kërkohen, duke filluar te dizinfektuesi, dorezat, papuçet e këmbëve. Kusht tjetër që kemi për klientët është që ata të pajisen me veshjen mbrojtëse”, u shpreh parukierja Ardiana Ramaj.
I njëjti fluks paraqitet edhe në qendrat estetike për meshkujt, me rezervime të shumta që prej njoftimit të hapjes së aktivitetit.
Zbatimi i protokollit të masave do të përkthehet në kosto shtesë për bizneset, por megjithatë ato shprehen se nuk do të ketë rritje të çmimit për shërbimet. Madje një pjesë deklarojnë se do të bëjnë oferta për të nxitur klientelën.
Përveç parukerive dhe berberëve, nga 11 Maji kanë rinisur punën edhe klinikat dentare si dhe dyqanet pranë qendrave tregtare, biznese të cilat përfshihen në protokollin e kuq të masave për shkak të rrezikshmërisë së lartë. (A2 Televizion)