
Jeta ekonomike në kryeqytet është zgjuar këtë fillimjavë me rihapjen e disa bizneseve, si ushqimi i shpejtë, byrektoret, dyqanet e elektroshtëpiakeve, riparimi i këpucëve, orëve, etj.
Pas pezullimit të aktivitetit për rreth 5 javë, fasha e parë e sipërmarrjeve që hapën dyert për klientët përballen sot me një rënie të ndjeshme të xhiros. Pavarësisht se rrugët janë plot me kalimtarë, nevojat e qytetarëve bien tek produktet bazë, duke mbartur me vete një krizë konsumi.
Teksa detyrimet për sipërmarrjet nuk ndalen, biznesi bën apel për lehtësimin e mëtejshëm të masave, që mund të sillte një normalizim të gjendjes.
Protokolli shëndetësor është tashmë i detyrueshëm për të gjitha bizneset aktive në vend. Distanca e sigurisë ndërmjet punonjësve dhe klientëve është një ndër elementët kryesorë, së bashku me dezinfektimin e rregullt të ambienteve dhe mjeteve të punës. Masa që do të kontrollohen rregullisht nga autoritetet dhe për të cilat nuk do të ketë tolerim.
Por, pasiguria e krijuar nga situata bëri që sot, shumë biznese tashmë të lejuara, të zgjedhin të mos rinisin punën.
Hapja graduale e aktivitetit ekonomik do të vijojë më 27 prill, kur një bllok i dytë biznesesh me rrezik të ulët pritet të lejohet të ushtrojnë aktivitetin.
Ndërkohë, pjesa më e madhe e qepenave të dyqaneve në tregje dhe në rrugët kryesore mbeten të ulura. (A2 Televizion)