Gazetari Lutfi Dervishi ka kritikuar ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke vënë në dukje ritmin më të shpejtë të Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
I ftuar në emisionin “Off the Record”, Dervishi u ndal te diferenca mes dy vendeve, duke kujtuar se një vit më parë, në tetor, komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, i cilësonte Shqipërinë dhe Malin e Zi si vende në vijën e parë të procesit të integrimit.
Sipas gazetarit, Mali i Zi po shënon progres konkret, ndërsa Shqipëria vijon të përballet me problematika të evidentuara edhe në raportet e Bashkimit Evropian, shumë prej të cilave, sipas tij, nuk kërkojnë financime, por vetëm vullnet politik.
“Tjetër gjë është të marrin një vendim për të na futur me zor në BE, dhe tjetër gjë është të arrish standardet. Vjet në këtë kohë, në tetor, nga Marta Kos quhej frontrunner, në vijën e parë, Shqipëria dhe Mali i Zi. Mali i Zi po kryen punë. Një shtet i pavarur në 2006-ën. Brenda 20 viteve po shkon drejt anëtarësimit. Ndërsa të gjitha vërejtjet që ka bërë raporti për Shqipërinë, shumica s’ka kosto financiare, veç vullnet politik. Nuk matet progresi duke thënë që kemi marrë nota kaluese. Ideja është që po të jetë për prograndë kemi hyrë në BE, çështja është e standardeve dhe mos lexojmë vetëm pjesën që na intereson. Ka së paku 15 gjëra që mund të ishin bërë vetëm për çështje vullneti”. (A2 Televizion)