Një debat i fortë është zhvilluar në emisionin “Off the Record” të gazetarit Andrea Danglli në A2 CNN, mes nënkryetarit të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, dhe aktivistit të Qëndresës Qytetare, Migen Qiraxhi.
Në qendër të diskutimit ishte mënyra se si mund të vijë largimi i kryeministrit Edi Rama nga pushteti, roli i opozitës dhe nevoja për ndryshime brenda saj.
Këlliçi këmbënguli se rruga për të mundur Ramën është bashkimi i opozitës, duke i bërë thirrje edhe Qiraxhiut që të bashkojnë forcat.
Nga ana tjetër, aktivisti kundërshtoi këtë qasje, duke argumentuar se bashkimi mekanik i partive nuk mjafton për të fituar zgjedhjet dhe se opozita ka nevojë për ide, alternativë dhe frymëzim.
Përplasja u ashpërsua edhe më tej kur Këlliçi përmendi George Sorosin, duke pretenduar se synimi është fraksionimi i opozitës dhe krijimi i disa partive të vogla, sipas modelit të Serbisë.
Qiraxhi e kundërshtoi këtë argument, duke vënë në dukje se në Serbi opozita u la hapësirë studentëve dhe nuk garoi në zgjedhje.
DEBATI
Qiraxhi: Si fitohet përballë Ramës?
Këlliçi: Duke u bërë të gjithë bashkë po ta them edhe një herë.
Qiraxhi: Jo nuk fitohet ashtu.
Këlliçi: Ma thuaj ti meqë unë s’di! Unë po të them hajde të bëhemi bashkë, hajde bashkojmë forcat dhe ti më thua jo!
Qiraxhi: Hajde e bashkojmë opozitën dhe mekanikisht nuk bëhen votat e mjaftueshme për të mundur Ramën.
Këlliçi: Po patjetër mo, nëse bëhen bashkë, nesër bie Rama.
Qiraxhi: Jo, Rama bie me ide, me alternativë, me frymëzim, siç ka rënë Ramizi kur ju ishit frymëzues dikur. Ju jeni bërë si dembeli i Stambollit, prit të konsumohet ky, të na bjerë ne pushteti.
Këlliçi: Askush s’e ka thënë këtë! Vazhdon edhe mban qëndrime që s’i ka thënë PD! Vazhdon edhe nxjerr nga konteksti deklaratat zyrtare të liderëve të PD. Vazhdon shan PD-në…Unë them që duhet të bashkohemi kundër Ramës, dhe ti më thua e ke gabim! Ka 13 vite Rama në qeverisje dhe këtu akuzohet opozita!
Qiraxhi: Ju thoni s’pranojmë ndryshim për asnjë arsye.
Këlliçi: Ku ke parë një protestë në botë ku çohen njerëzit dhe kërkojnë largimin e një kryetari partie?!
Qiraxhi: Ja kemi këtë në Shqipëri.
Këlliçi: Këtë e bën Sorosi për të fraksionuar opozitën, për ta bërë me 8 parti si në Serbi.
Qiraxhi: Ti thua Sorosi, ai thotë iranianët. Në Serbi opozita i la krahun studentëve dhe nuk kandidoi në zgjedhje.
Këlliçi: Ishin 8 parti me nga 3-4 për qind. Këtu doni ta çoni Shqipërinë, por s’ndodh. (A2 Televizion)