
Policia Rrugore bën të ditur se ka futur sërish në veprim makinën inteligjente, për të evidentuar dhe ndëshkuar drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, përdorin aparatin celular apo nuk vendosin rripin e sigurimit, gjatë drejtimit të mjetit.
Sipas policisë, ky automjet ishte çuar në Gjermani për kolaudim dhe tashmë është sërish në veprim në rrugët e kryeqytetit.
Vetëm gjatë mbrëmjes së kaluar, pak orë nga aksidenti me 3 të plagosur në Rrugën e Kavajës, makina inteligjente vendosi 123 masa administrative.
“100 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi 2 deri në 4-fish mbi normën e lejuar, në rrugët e qytetit, të cilëve iu është pezulluar leja e drejtimit nga 2 deri në 10 muaj, iu janë zbritur nga 3 deri në 13 pikë në lejen e drejtimit, si dhe janë ndëshkuar me masë administrative nga 7000 deri në 25.000 lekë të rinj; janë vendosur mbi 123 masa administrative, për tejkalim të shpejtësisë, pa sanksionin plotësues të heqjes së lejes së drejtimit.
Makina inteligjente tashmë do të vijojë kontrollet e pandërprera në të gjitha rrugët e kryeqytetit, të qyteteve të mëdha dhe në akset rrugore nacionale”, njofton policia. (A2 Televizion)