Deputeti demokrat, bashkëkryetar në Komisionin për Reformën Zgjedhore Oerd Bylykbashi ju përgjigj ë atyre që kritikojnë përfaqësimin prek tij gjithmonë të PD në komisionet parlamentare të Reformës Zgjedhore. Në emisionin ÇdoKënd me Merita Haklaj ai tha se eksperienca e tij mbi 25-vjeçare si njohës i legjislacionit dhe në këtë rast atij zgjedhor ia jep këtë rol të cilin nuk e luan vetëm, por me kontributin e Ivi Kasos, Albana Vokshit, Fatmir Mediut, Gjin Gjonit apo Tedi Blushit në komision. I pyetur se deri ku shkon mandati që i ka dhënë Sali Berisha, Bylykbashi theksoi se "pa vendimmarrje politike negociatori nuk shkon dot në krahun tjetër. Është mandat, është zgjidhje, është vendim përfundimtar dhe këto i merr lidershipi i partisë. Sa më e gjerë vendimmarrja aq më e pranuar është. Mund ta marrë edhe vetëm kryetari një vendim të caktuar dhe njerëzit mund të mos e pranojnë, e pranojnë, ulin kokën, por mërmërijnë".
I pyetur mbi tezën e tij për demokratizimin e shtetit, por edhe të partive politike, Bylykbashi sqaroi nëse e ka vetëm me Edi Ramën apo edhe me Sali Berishën e cilindo kryetar partie kur flet për domosdoshmërinë për t'i dhënë fund konceptit të "njëshit", liderit si misionar në politikën shqiptare dhe kalimin në qarkullim elitash me mandate të kufizuara kryetarësh dhe vendimmarrje kolegjiale në parti.
"Në shkurtin e 1991 unë dhe bashkëshortja ime ishim pa mbushur 17 vjeç dhe dilnim në protestë si gjimnazistë në mbështetje të studentëve në grevë urie. 35 vite më pas është vajza ime studente që del në protestë aty. Që do të thotë është një brez i tërë që ka bërë një xhiro dhe ka ardhur po në të njëjtën pikë dhe nëse vazhdon do të bëjë një xhiro tjetër, ndoshta do të jenë nipi apo mbesa ime apo e të tjerëve përsëri. Pse? Se ky shtet kështu nuk funksionon më. Jo se e ka keq Kushtetutën, po se është degraduar mënyra e funksionimit të Kushtetutës. Dhe unë kam një qëndrim që është kredoja ime personale, qytetare, politike, profesionale, se si duhet të jetë shteti, çfarë reformash transformuese duhet të ndodhin në këtë vend, që fillon nga reforma kushtetuese tek reformat e sjelljes tonë. Por meqënëse partive politike nga viti 2000 deri më sot ju dha 26 vite kohë që të demokratizoheshin, unë mendoj që ka ardhur koha që partitë politike duhet të shtrëngohen për t'i çuar drejt demokratizimit. Nëse ka pjesë që është ndoshta jo motori por vaji me të cilën funksionon ai motor janë partitë politike. Është rol që e ka Kushtetuta e ka thënë Gjykata Kushtetuese, partitë politike nëse s'janë demokratike shkatërrojnë funksionimin demokratik".
Por a është demokratike Partia Demokratike? Ish-nënkryetari i saj Bylykbashi tha se në forcën e tyre politike bëhen zgjedhje, ka forume ku diskutohet, por kanë shumë punë për të bërë për demokratizimin e saj.
"Unë them absolutisht që ne kemi shumë punë për të bërë. Është një nga tezat që unë ngre dhe e kam ngritur me kohë jo për PD-në, po edhe për më gjerë se aq dhe jo sot, por dhe përpara pesë vitesh, jo kur filloi çështja (Berisha) mbas 9 shtatorit, por përpara 9 shtatorit. Unë kam disa postime, kam thënë që na duhet një "Magna Carta" e re; na duhen kontrolli dhe balancat dhe brenda partive politike. Po dhe ishte Lulzim Basha që sa po ishte rizgjedhur kryetar. Është një postim im i shtatorit ku them se nuk duhet ta kapëcejmë atë urën ku shkëmbehet partia me emrin e kryetarit. E kam thënë atëhere për Lulzim Bashën e kam përsëritur në 30 prillin e vitit 2022 kur ne ndryshuam statutin e 11 Dhjetorit, në gjykimin tim jo në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kam vazhduar ta them dhe në Kuvendin më të fundit fare (30 maj 2026). Jam koherent prej shumë vitesh me atë që është kredo e formimit tim. Gjykoj që kjo është domosdoshmëri politike jo e PD-së, e të gjithë klasës politike".
Bylykbashi sqaron se përse në këtë aspekt ka ardhur koha për kufizimin e mandateve të kryetarëve të partive.
"Jam për kufizim mandati. Nuk heq asnjë presje nga ato që kam thënë aty, ka ardhur koha. Sigurisht liderët janë liderë. Liderët janë të lindur Sali Berishën nuk e formon dot. Është ashtu, i ka pasur të dhënat gjithmonë dhe çka bërë e kanë parë. Edhe kjo s'ka lidhje fare me idhujtarinë. Unë e kam njohur vonë Sali Berishën në raport me të tjerët, por kam punuar shumë gjatë me të. Kam gati 20 vjet që punoj me të dhe është një lider i lindur. Mund të tentosh të bëhesh lider siç ishte rasti i Bashës, por nuk bëhesh"
I pyetur nga gazetarja Merita Haklaj se Berisha nuk e ka ndërmend largimin, kur e lidh atë vetëm me pamundësi fizike, Bylykbashi tha: "Për mendimin tim kjo gjë ka mbaruar. Pra ne duhet të shkojmë në kufizim të mandateve të kryetarëve që sigurisht një kryetar shumë i zoti do të ketë gjithmonë rol edhe aty anash, anash tavolinës së kryetarit, çër të dhënë mendje dhe mençuri, por ne japim mundësinë e lëvizjes së elitave politike brenda për brenda. Pra mençuria të kombinohet edhe me energjinë e re. Unë në vitin 2022 me 30 prill në Kuvendin Kombëtar kam thënë se duhet të krijojmë elitën politike të Partisë Demokratike, lidershipin politik të Partisë Demokratike që do na udhëheqë në 15-20 vitet e ardhshme dhe kjo shkon përtej edhe kohës kur do të jem unë në politikë. Unë kam qenë koherent gjatë gjithë kohës. Kush s'ka dashur ta dëgjojë s'e ka dëgjuar, kush ka qenë i vëmendshëm ka kuptuar. Edhe moskandidimi im (këtë vit), e kam thënë edhe më herët, ka qenë i lidhur me ato që unë gjykoj që janë probleme që duhen zgjidhur dhe sigurisht jam aty për të punuar. Por sigurisht këto debatet e më në detaje, unë i bëj bashkë me zotin Berisha, me Kryesinë e Partisë Demokratike, në Grupin Parlamentar. I bëjmë këto debate si unë dhe kolegë të tjerë dhe nuk i bëjnë aspak keq një partie politike. Kush mendon që kjo është gabim e ka ai gabimin me qytetarët shqiptarë".
Bylykbashi pranon që demokratët kanë rrëshqitur nga statuti i Rithemelimit të PD, 11 Dhjetori 2021, pikërisht ku u vendos që në parti të vendoste kolegjialiteti dhe jo njëshi.
"Statuti i 11 Dhjetorit nuk është më aty. Kanë ndodhur shumë ndryshime nga ai, ndoshta për mirë. E ripërsëris, unë me dy kolegë të tjerë, me zotin Kaso e zotin Ristani, u ulëm me idenë që të bënim një statut i cili do të forconte kolegjalitetin dhe sigurisht kjo do të thoshte që të merrej pushteti i "njëshit", dhe e kemi thënë atëhere, pra këtë historinë e njëshit që ju përmendët, unë e kam thënë në prezantimin e statutit më 11 dhjetor para atij Kuvendi fantastik në Stadiumin Air Albania, por ka patur ndryshime të tjera, ndoshta funksionojnë. Por unë gjykoj që ne e kemi të domosdoshme rikthimin e kolegjalitetit në partitë politike shqiptare".
Duke ritheksuar parimet e "Rithemelimit" të PD Bylykbashi jep mesazh për gjithë forcat politike kur thotë se "zhvillimet nuk i presin partitë politike. Kjo që po ndodh, që ndodhi në Serbi e vende tjera, janë shembuj shumë të fortë. Kështu që ne duhet të jemi në avantazh në avangardë për të kuptuar çfarë duan qytetarët shqiptarë dhe Partia Demokratike të jetë moderne dhe t'i përgjigjet sfidave" deklaroi Bylykbashi në ÇdoKënd me Merita Haklaj në A2CNN. (A2 Televizion)