Rikuperohet Navalny, opozitari rus largohet nga spitali “Charite” në Berlin

Nga A2 CNN
23 Shtator 2020, 13:02 | Bota
Rikuperohet Navalny, opozitari rus largohet nga spitali “Charite”

Opozitari rus, Alexei Navalny, ka lënë spitalin pasi u përmirësua ndjeshëm nga helmimi me agjent nervor, Novichok. Spitali “Charite” në Berlin të Gjermanisë bëri me dije se përkujdesja mjekësore nuk ishte më e nevojshme.

“Bazuar në progresin e pacientit dhe gjendjen aktuale, mjekët besojnë se shërimi i plotë është i mundur. Megjithatë, është ende herët për të përcaktuar efektet afatgjata të helmimit të rëndë”, thuhet në një deklaratë të spitalit gjerman.

Navalny publikoi një fotografi në rrjete sociale duke shkruar se mjekët i kishin dhënë atij çdo shans të mundshëm për shërim.

Lideri i opozitës iu kundërpërgjigj dhe akuzave se është vetëhelmuar, pretendim i cili është bërë nga presidenti rus, Valdimir Putin gjatë një telefonate me homologun francez, Emmanuel Macron.

Navalny ironizon duke thënë se ishte pjesë e planit të tij që të vdiste në Omsk dhe që shkaku i vdekjes së tij të ishte “ka jetuar mjaftueshëm”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos