Rindizen protestat, përplasje të dhunshme në qytetet e Shteteve të Bashkuara

Nga A2 CNN
26 Korrik 2020, 14:35 | Bota

Dy muaj pas vrasjes së George Floyd, protestat që kanë përfshirë anembanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë rindezur sërish. Mbrëmjen e kaluar në Portland, Oregon, demonstruesit janë përplasur dhunshëm me agjentët federalë të dërguar për të kthyer rendin. Një person u godit me thikë, teksa policia përdori sërish gaz lotsjellës për të kontrolluar turmën.

Ndërkohë në Siatëll, Uashington, pamjet e protestës së Portlandit frymëzuan tubimin më të madh prej javësh. Sipas policisë, kjo protestë u shndërrua shumë shpejt në trazira, me shkatërrim të pronës publike dhe asaj private. Për shkak të përplasjeve midis turmës dhe autoriteteve, 21 oficerë policie u plagosën nga sulmet me gurë, tulla apo lëndë shpërthyese. Ndërsa policia arrestoi mbi 45 pjesëmarrës.

https://www.youtube.com/watch?v=8YvvN0xfHeU

Mbrëmja përfundoi me dramë në Ostin, Teksas, ku një prej protestuesve u vra me armë zjarri gjatë marshimit. Momenti u transmetua “live” në rrjete sociale, teksa dëgjohen disa gjuajte të njëpasnjëshme. Policia më pas arrestoi të dyshuarin për ngjarjen.

Vala e re e protestave lidhet me vendosjen e autoriteteve nga Departamenti i Sigurisë së Brendshme, krijuar pas sulmeve të 11 Shtatorit. Këto trupa janë parë të armatosur rëndë dhe të paidentifikueshëm, duke arrestuar protestuesit. Presidenti Donald Trump i ka quajtur demonstruesit si terroristë dhe ka premtuar të rrisë prezencën e forcave të tilla në të gjitha qytetet e qeverisura nga demokratët, ku sipas tij nuk po bëhet asgjë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos