
Fundi i vitit të kaluar shënoi nisjen e rikuperimit të ekonomisë, por përkeqësimi i situatës së pandemisë dhe riprezantimi i kufizimeve kanë frenuar këtë rimëkëmbje.
Nxitja e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe kthimi i inflacionit në objektiv do të kërkojë kohë dhe politika ekonomike nxitëse. Ky është bilanci që bën Banka e Shqipërisë në Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e parë të këtij viti.
“Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ruajë kahun stimulues të politikës monetare, duke mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 0,5% dhe duke sinjalizuar gatishmërinë tonë për të mbajtur kushte monetare stimuluese edhe gjatë dy viteve në vazhdim.”
Megjithë përmirësimin në fund të vitit të kaluar, ritmi i rritjes së punësimit, pagave dhe marzheve të fitimit kanë qenë të pamjaftueshme për të nxitur kërkesën dhe investimet private.
Në vijim, Banka qendrore vlerëson se rreziqet që i kanosen ekonomisë janë të shumta, pavarësisht zhvillimeve të fundit me procesin e vaksinimit. Krahas pandemisë dhe mutacioneve të virusit, ato përfshijnë tendencën e familjeve shqiptare për të mbajtur kursime, realizimin më të ngadaltë të programit të rindërtimit, apo ndryshimet strukturore që mund të sjellë pandemia. (A2 Televizion)