
Një pjesë e mirë e tyre janë të zhgënjyer, ca kanë humbur shpresën, shumë duan të ikin dhe pak vazhdojnë, ashtu si i mbyturi që kapet pas një fije të përpiqen, të ndërtojnë ura mbi ujin e turbullt. Nëse do duhej të vinim në rend gjithë problemet e përbashkëta, fjalia do të ishte aq shumë e gjatë, saqë do të bëhej e mërzitshme.
“Kur bisedon me të rinjtë nga shtete e tjera thua: O Zot, edhe kam të njëjtin problem në vendin tim. Mendoj se ka shumë ngjashmëri mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Sunčica Kovačević, studente në Sarajevë
Bëhet fjalë për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor, rajonin për të cilin “The Economist” shkroi rreth dy vite më parë, “Po plaken, po vdesin, po largohen”.
“Më shumë se 60 për qind e të rinjve te ne janë të papunë. Mund të flas për Kosovën, por mendoj se është e përafërt vlera po ashtu edhe në Shqipëri apo vendet e tjera të rajonit”.
Saranda Shala, e re nga Kosova
Si një formë e heshtur proteste njerëzit, kryesisht të rinj, po braktisin shtëpitë e tyre me shpresën dhe besimin se atje ku do të shkojnë do të marrin diçka më shumë nga ajo që Atdheu i tyre, edhe mbi të gjitha politik-bërësit nuk u ofrojnë.
“Unë jam Strahinja Milovac. Vij nga Novi Sadi në Serbi. Epo, në Ballkanin Perëndimor, ajo që mua mu duk më interesante është fakti se njerëzit nuk kanë mjaftueshëm besim te institucionet. Kjo vihet re në të gjitha shtete e Rajonit. Ndaj mendoj se e para gjë është që qeveritë të punojnë për të fituar besimin e njerëzve”.
Strahinja Milovac, student në Novi Sad, Serbi
Në dekadën e fundit ka një përmbysje të tendencës për emigrim, ku vala e të ikurve është zhvendosur nga të pashkolluarit tek ata me edukim.
“E shohim se të rinjtë janë më pak të përkrahurit nga institucionet. Hapësirat ku ata mund të gjejnë veten mund të themi se janë shumë të pakta në të gjitha vendet e Ballkanit> Patjetër që rinia kërkon përkrahje. Për vendet e tjera nuk e di, por në Kosovë ende nuk ka hyrë në fuqi ligji për njohjen e punës vullnetare”.
Mehmet Saliu, student nga Kosova
Si të ishte një trup i vetëm, i gjithë Ballkani Perëndimor vuan nga simptoma të njëjta që kanë shkaktuar sëmundje të ngjashme.
“Është hera ime e parë në Tiranë. Kam biseduar me shumë të rinj nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnje-Hercegovina e Mali i Zi. Bashkërisht vuajmë nga mos-përfshirja në vendimmarrje. Është ekzaktësisht e njëjta. Të rinjtë po largohen nga Maqedonia e Veriut. Mendoj se u ka ardhur në majë të hundës me politikën. E njëjta më duket se po ndodh edhe në Shqipëri. Është problem shumë i madh”.
Ana Bojadzieva, studente në Ohër, RMV
“Ndoshta për pak vite. Pas punës me organizatat jofitimprurëse mund të ndodh që edhe të largohem. Nëse situata do të jetë përkeqësuar, atëherë është e sigurt që do iki”.
Ana Bojadzieva, studente në Ohër, RMV.
“Vuajmë nga i njëjti sindromë…”.
Saranda Shala, e re nga Kosova.
Për shkak të moralit të trazuar, të paaftësisë, ose thjesht për shkak të indiferencës, udhëheqësit politikë në shtetet e Ballkanit nuk kanë nisur ende të shpjegojnë pyetjen se përse largohen njerëzit, dhe jo më të zgjidhin problemin.
“Njerëzit po lejnë vendet e tyre për shkak të situatës politike. E gjitha për shkak të kësaj klime toksike që kemi në hapësirën publike. Ndaj unë mendoj se kjo është një ndër arsyet se pse të rinjtë vendosin ta ndërtojnë jetën e tyre diku tjetër. Mendoj se Bosnja është edhe më keq se sa Shqipëria”.
Sunčica Kovačević, studente në Sarajevë
“Ka shumë masa që mund të merren. Unë mendoj se qeveritë nuk po punojnë mjaftueshëm. Shoqëria civile duhet të ketë më shumë mirëkuptim nga qeveria. Është hapi i parë që do i bënte të rinjtë që të qëndronin në vend".
Strahinja Milovac, student në Novi Sad, Serbi.
Dhe ta mendosh që bëhet fjalë për gjashtë shtete me pak më shumë se 17 milionë njerëz që jetojnë në rreth 260 mijë kilometër katrorë. Sa për krahasim, Italia ka një popullsi prej gati 60 milionë banorësh e sipërfaqe prej më shumë se 300 mijë kilometër katrorë.
“Fatkeqësisht, gjithnjë të rinjtë do të kërkojnë për mundësi më të mira. Nëse ato nuk i gjejnë në vendin e tyre, atëherë do të largohen. Na takon të gjithëve ne që të ndërtojmë një mjedis që do t’i bënte të rinjtë që të bashkëvepronim”.
Vladan Djurisic, i ri nga Podgorica, Mali i Zi.
“Qeveritë kanë shumë në dorë. Ato mund të ndihmojnë të rinjtë që të rritet personalisht e profesionalisht. Përkrahja do i bënte të rinjtë të ndiheshin të vlerësuar e rrjedhimisht nuk do të braktisnin vendin e tyre”.
Vladan Djurisic, i ri nga Podgorica, Mali i Zi.
“Të inkurajojnë më shumë të rinjtë. T’i përfshijnë ta në vendimmarrje. T’i stimulojnë e t’u japin mundësinë të dëgjojnë idetë e tyre dhe të ndihmojnë ta që t’i realizojnë ato”.
Ana Bojadzieva, studente në Ohër, RMV.
Kur thuajse të gjithë bien dakord se jeta në Ballkan ofron arsye të shumta për t’u shqetësuar, shumica e njerëzve presin që dikush tjetër të marrë përsipër rreziqet dhe të sjellë ndryshimin që ata duan të shohin.
“Kemi kuptuar gjithashtu gjatë këtyre ditëve se çdo vend ka të rinj potencial. Por dëshira e tyre për shkaka të mungesës së mundësive që mundësive që mund të vijnë apo dëshirës për një jetesë më të mirë në Europë është pak fatkeqe për secilin nga vendet që ne vijmë”.
Leon Merhori, student shqiptar.
“Mendoj se kemi kaq shumë ngjashmëri. Ndajmë të njëjtat probleme e njëherazi të njëjtat vlera dhe aspirata për një të ardhme më të mirë, sidomos për atë të rinjve. Të gjithë sëbashku mund të punojmë për të arritur atë”.
Sunčica Kovačević, studente në Sarajevë.
Sunčica nga Bosnja, Saranda e Mehmeti nga Kosova, Strahinja nga Serbia, Ana nga Maqedonia e Veriut, Vladan nga Mali i Zi e Leoni nga Kavaja ishin shtatë nga rreth 120 të rinj nga Ballkani Perëndimor që për dytë me radhë u mblodhën në Tiranë në konferencën së dytë të Ballkanit Perëndimor të titulluar “Perspektiva e të rinjve”, organizuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara.
“Ky aktivitet ishte shumë…”.
Leon Merhori, student shqiptar.
“Patëm një konferencë goxha të këndshme, Shkëmbyem mendime dhe morëm ide nga njëri-tjetri. Ballafaquam eksperiencat e folëm mbi perspektivat me të rinjtë e tjerë nga Ballkani Perëndimor. Biseduam gjithashtu lidhur me procesin vendimmarrës në Rajon. Ramë dakord se jemi kaq shumë të ngjashëm dhe ndajmë të njëjtat probleme”, Vladan Djurisic, i ri nga Podgorica, Mali i Zi.
Ka shumë arsye për t’u shqetësuar nga largimi i njerëzve thotë përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri Monica Merino, ndaj duhet që politikanët të fillojnë ta marrin seriozisht fenomenin dhe të përpiqen ta frenojnë atë.
“Të rinjtë në Ballkanin Perëndimor përballen me shumë sfida në drejtim të zhvillimit si pasojë e mundësive të pakta. Ndryshimi mund të vijë vetëm nga ata. Ata kanë kurajën, vullnetin, energjitë dhe aftësitë. Është detyrimi ynë të mbështesim ata që të realizojnë ëndrrat dhe aspiratat e tyre”.
Monica Merino, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri.
Në një kohë që përherë e më shumë njerëzit po ndërtojnë shumë mure e kaq pak ura, nën filozofinë se një marionetë nuk mund të lëvizet nga një spango e vetme, jo pa qëllim të rinjtë ftohen që të bëhen bashkë. (A2 Televizion)